Qarku Shkodër po shënon një përmirësim të dukshëm të situatës këtë të enjte, 15 janar, pasi kuotat e lumenjve Drin dhe Bunë kanë shënuar rënie rreth 20 cm.
Në njësitë administrative Dajç dhe Obot niveli i ujit është në rënie, ndërsa lëvizja aktualisht kryhet vetëm me mjete me kalueshmëri të lartë dhe jo më me varka.
Në territorin e bashkisë Vau Dejës, Malësi e Madhe, Pukë dhe Fushë Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe nën kontroll. Nuk raportohen problematika apo situata emergjente. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e vazhdueshëm.
Sipas të dhënave të administruara nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë, nivelet e ujit në pikat monitoruese vijojnë të jenë nën kuotat kritike, dhe paraqiten si më poshtë:
- Lumi Buna, ura e vjetër e Pazarit: 8.40 m
- Lumi Drin, ura e Bahçallëkut: 7.80 m
- Lumi Buna, Dajç: 6.30 m
Hidrovoret e Velipojës vijojnë të funksionojnë normalisht në kuotën -1.90 m dhe punojnë në kapacitet të plotë, duke garantuar menaxhimin e prurjeve. Nga verifikimet në terren, argjinaturat dhe veprat e artit nuk paraqesin problematika dhe funksionojnë në kushte normale.
Reparti i Këmbësorisë së Veriut ka vijuar operacionin mbështetës dhe monitorues në fshatin Obot, Njësia Administrative Ana e Malit, ku janë angazhuar 15 forca dhe 2 mjete me kalueshmëri të lartë.
Sakaq, deri në këto momente nuk raportohen problematika në qarkullimin rrugor.
Në akset Qafë Mali–Fierzë dhe K.Hadroj–Qafë Bënës rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe/ose zinxhirëve, në përputhje me kushtet atmosferike dhe standardet e sigurisë.
Situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga DRV Shkodër në bashkëpunim me kontraktorët e mirëmbajtjes./KM
