Last Updated on 07/05/2026 by Monika
Policia greke ka vënë në pranga katër persona të dyshuar si të përfshirë në vrasjen e Jorgos Moskouris, i njohur me nofkën “Thamnakia”, ngjarje e ndodhur më 24 prill 2025 në Halandri të Athinës.
Sipas hetimeve, të arrestuarit, Dhionis Kokoni, një person me mbiemër Jupe, si dhe dy shtetas grekë Dhimitris Aleksopoulos dhe Aleksandros Petropoulos, dyshohet se kanë luajtur rol mbështetës në atentat. Dy prej tyre raportohet se janë me origjinë shqiptare.
Autoritetet greke dyshojnë se grupi ka ndihmuar në organizimin e vrasjes duke siguruar armë, automjete dhe logjistikë për largimin e autorëve pas ekzekutimit.
Hetimi po fokusohet edhe në lidhje të mundshme me rrjete të krimit të organizuar që veprojnë ndërkombëtarisht dhe që lidhen me trafikun e kontrabandës së duhanit. Në dosje përmenden gjithashtu edhe emra të tjerë të botës së krimit dhe mundësia e përplasjes mes grupeve rivale mafioze.
Përveç kësaj, të arrestuarit dyshohen edhe për përfshirje në aktivitete të tjera kriminale, përfshirë vendosje pajisjesh GPS dhe survejim të personave të lidhur me hetime penale, si dhe një shpërthim të ndodhur në vitin 2024 në Nea Erythraia.
Megjithatë, autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes mbeten ende në arrati dhe dyshohet se janë larguar jashtë Greqisë menjëherë pas atentatit, i cili ndodhi në mes të ditës pranë një klinike private./mxh
