Pas gati gjysmë shekulli varësie të plotë nga gazi rus, Bosnje dhe Hercegovina mund të lidhet me tregun global të energjisë, falë iniciativës amerikane për të ndërtuar një gazsjellës drejt Kroacisë.
Projekti, i cili do të ishte investimi i parë i madh i drejtpërdrejtë amerikan në sektorin e energjisë në këtë pjesë të Evropës, mund të fillojë që vitin e ardhshëm, konfirmuan Ambasada amerikane dhe autoritetet e Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës.
Deri më tani, gazsjellësit në Evropën Juglindore janë ndërtuar nga kompani evropiane ose lokale, ndërsa kompanitë amerikane kanë ofruar kryesisht shërbime konsulence. Projekti, nëse realizohet, do të shënojë një pikë kthese.
Për herë të parë, Bosnje dhe Hercegovina do të merrte gaz direkt përmes terminalit LNG në ishullin Kërk në Kroaci, duke diversifikuar kështu burimet e energjisë dhe duke zvogëluar varësinë nga Rusia.
Por, as Qeveria e Federatës dhe as Ambasada amerikane në Bosnje dhe Hercegovinë nuk kanë njoftuar ende se cila kompani është e interesuar për këtë projekt.
Gjatë dy muajve të fundit, zyrtarët amerikanë, përfshirë zëvendësit e sekretarit të Shtetit Mark Fleming, Joshua Voltz dhe Daniel J. Lawton, sekretarët e Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Chris Wright dhe Doug Burgum, dhe kongresistët Mike Turner dhe Donald Norcross, kanë zhvilluar një sërë takimesh me autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ambasada amerikane në Sarajevë, pas një sërë takimesh me autoritetet lokale, ka thënë se “synimi është që puna të fillojë që vitin e ardhshëm”.
Projekti i Ndërlidhjes Jugore të gazit është më shumë se 20 vjeç, dhe ky tubacion do ta lidhte Bosnje dhe Hercegovinën me rrjetin kroat dhe terminalin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) në ishullin Kërk, ku afërsisht 60 për qind e gazit vjen nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër nga Lindja e Mesme.
Në të ardhmen, ai do të lidhej gjithashtu me tubacionin e gazit nga Kroacia në Shqipëri dhe më tej në Azerbajxhan dhe në rajonin Kaspik.
Kapaciteti i planifikuar më parë i Ndërlidhjes Jugore është gjashtë herë më i madh se nevojat aktuale të Bosnje dhe Hercegovinës dhe, në të ardhmen, ky gazsjellës mund të zgjerohet në Bosnjën veriore, ku më parë ishte planifikuar një strukturë e magazinimit të gazit, dhe më tej drejt Serbisë. m.p.
