Last Updated on 03/12/2025 by Monika
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë të ditur se mazhoranca ka ndërmarrë përpjekje të vazhdueshme për të arritur një marrëveshje me opozitën për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit. Ai deklaroi se që në shtator i është bërë një ftesë Partisë Demokratike për t’u ulur në tryezë dhe për të gjetur konsensus.
Sipas Ballës, procesi ka avancuar deri “në minutën e 90-të” dhe tashmë nuk ka më hapësirë për shtyrje apo negociata të reja. “Nuk ka shtesë kjo ndeshje. Është vetëm Kuvendi që shprehet me votë,” u shpreh ai.
Balla theksoi se Avokati i Popullit duhet të jetë një figurë e pavarur dhe jo e lidhur me Partinë Socialiste. Ai nënvizoi se mazhoranca nuk dëshiron të përdorë shumicën e saj prej 84 mandatesh për të imponuar kandidaturën.
“Avokati i ri i Popullit duhet të jetë një personalitet në fushën e të drejtës, jo i lidhur me PS. Nuk duam kurrsesi që për shkak të numrave të përdorim forcën e kartonave në këtë institucion,” deklaroi Balla, duke ritheksuar rëndësinë e konsensusit mes palëve politike.
“Kemi bërë ftesa për të bërë një marrëveshje. Në shtator të këtij viti i kemi bërë ftesë PD të ulemi dhe të zgjedhim. Ligji është zgjedhje që tejkalon marrëveshjen.
Procedura ka ecur deri në minutën 90. Jemi në minutën e 90. Nuk ka shtesë kjo ndeshje. Është vetëm Kuvendi që shprehet me votë.
Avokati i ri i Popullit të mos jetë një personalitet në fushën e të drejtës që të jetë i lidhur me PS. Nuk duam kurrsesi për shkak se populli na besoi 84 mandate ta përdorim forcën tonë të kartonave për këtë institucion”, tha Balla.
