Qeveria e Venezuelës ka dënuar vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, për bllokadën e plotë të cisternave të naftës që hyjnë dhe dalin nga vendi, duke e quajtur atë një kërcënim luftënxitës.
Trump e ka cilësuar qeverinë e presidentit Nicolás Maduro si organizatë terroriste e huaj dhe e ka akuzuar për kontrabandë droge dhe trafikim të qenieve njerëzore. Vendimi vjen pas sekuestrimit javën e kaluar të një cisternë nafte pranë brigjeve të Venezuelës dhe vendosjes së sanksioneve ndaj mbi 30 anijeve të tjera.
Në një postim në Truth Social, Trump tha se Venezuela është plotësisht e rrethuar nga Armada më e madhe e mbledhur ndonjëherë në Amerikën e Jugut dhe kërcënoi se prania ushtarake amerikane do të bëhet edhe më e madhe. Ai akuzoi gjithashtu qeverinë e Maduros për përdorimin e naftës së vjedhur për financimin e terrorizmit të drogës, vrasjeve dhe rrëmbimeve.
Qeveria e Venezuelës reagoi ashpër, duke akuzuar SHBA-të për përpjekje për të vjedhur burimet e saj natyrore dhe duke kritikuar sekuestrimin e anijes cisternë Skipper, duke deklaruar se ekuipazhi dhe anija janë rrëmbyer dhe vjedhur.
Veprimet e SHBA-së vijnë pas disa muajve të pranisë së shtuar ushtarake amerikane në Detin e Karaibeve, përfshirë pozicionimin e transportuesit të avionëve USS Gerald Ford në distancë goditjeje nga Venezuela.
Kongresmeni demokrat Joaquin Castro e ka cilësuar bllokadën si “akt lufte” dhe ka paralajmëruar se Kongresi do të votojë një rezolutë për të kërkuar nga presidenti ndalimin e armiqësive me Venezuelën.
SHBA-të, nën administratat e Trump dhe Biden, kanë ushtruar presion për largimin e Maduros me sanksione ekonomike dhe kritika të vazhdueshme për shkelje të të drejtave të njeriut dhe zgjedhje të manipuluara./mxh
