Last Updated on 10/04/2026 by Anisa
Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë, pas shumë vitesh, shqyrtuan ndryshimin e praktikës gjyqësore për vendosjen e masës së arrestit në burg, një çështje që ka rikthyer në vëmendje debatet mbi përdorimin e paraburgimit në Shqipëri.
I ftuar në “Top Story”, analisti Arian Curri u shpreh se mungon vullneti politik dhe institucional për të ndryshuar këtë praktikë, duke përfshirë edhe drejtuesit kryesorë të politikës shqiptare.
Sipas tij, as kryeministri Edi Rama dhe as kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk kanë interes që të ndryshohet praktika për vendosjen e masës së arrestit me burg.
Duke përmendur të paraburgosur si Ilir Meta apo Erion Veliaj, të cilët i cilësoi si “VIP-a”, Curri sugjeroi se mbajtja e tyre në paraburgim lidhet edhe me rrezikun që mund të përbëjnë nëse janë të lirë.
“Për mua janë të gjithë në një valle hipokrizie të tmerrshme, sepse askush nuk do ta vendosë këtë padrejtësi të madhe në vend. Askush nga këta nuk do ta bëjë.
As Rama sepse do ndryshonte ligjin procedural, as gjykata e ulët se thonë populli i do në burgim, t’i lëmë në burg, thonë të shkojnë në Strasburg. As gjykata e lartë vetë nuk do ta bëjë, se dhe kur kanë shkuar këta me rekurs, ajo i ka lënë në burg. As Gjykata Kushtetuese nuk do ta bëjë.
Dhe Metën e la sot në burg me një fjali të tmerrshme. “Ekziston perceptimi edhe për një vëzhgues të jashtëm që Ilir Meta mund t’i ketë kryer këto veprime”. Ky është një sistem jashtëzakonisht idiotesk nga gjykata e ulët te kushtetuesja, vë duart në kokë, në këtë vend gjykohesh me opinion, perceptim. Është lëmsh i madh.
Tani për mua e vetmja mënyrë është ta bëjë mazhoranca dhe opozita, të ndërhyjnë në kodin penal. Po a kanë ata realisht interes për këta VIP-a që ju shfaqët aty? Nuk e besoj që po sepse këta VIP-a janë akoma të rrezikshëm po dolën. S’ka për të dalë asnjë nga këta. Berishës dhe Ramën nuk i intereson të dalin këta nga paraburgimi”, u shpreh Curri.
