Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, u takua në Jerusalem me ambasadorin amerikan në OKB, Mike Waltz. Takimi u zhvillua në prani të drejtuesve të lartë izraelitë dhe amerikanë, përfshirë ushtruesin e detyrës së kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Gil Reich, ambasadorin e Izraelit në OKB, Danny Danon, si dhe ambasadorin amerikan në Izrael, Mike Huckabee.
Në një deklaratë zyrtare, ambasada amerikane në Izrael theksoi se vizita e Waltz nënvizon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për forcimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimin e “Planit 20-Pikësh të Presidentit Trump për Gazën”.
Gjatë qëndrimit të tij në Izrael, Waltz pritet të takohet edhe me presidentin Isaac Herzog, si dhe të marrë pjesë në një sërë takimesh të fokusuara në thellimin e bashkëpunimit SHBA–Izrael brenda Kombeve të Bashkuara. Diskutimet do të përfshijnë çështje të sigurisë rajonale dhe koordinimit për ndihmat humanitare.
Ambasadori amerikan pritet gjithashtu të vizitojë kufirin verior dhe jugor të Izraelit, në kuadër të vlerësimit të situatës së sigurisë në terren./mxh
