Disa mijëra studentë dhe nxënës kanë protestuar sot në Paris, në kuadër të një dite mobilizimi kombëtar në sektorin e arsimit të lartë, duke kërkuar më shumë investime në universitete dhe përmirësimin e kushteve të studimit.
Protestuesit marshuan nga sheshi Bastille drejt Panteonit, me thirrjet për të vijuar protestat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Tubimi u organizua nga sindikatat e studentëve dhe personelit akademik, me mbështetjen e organizatave të nxënësve.
“Do të vazhdojmë të mobilizohemi derisa të arrijmë atë që kërkojmë”, deklaroi për AFP Manon Moret, sekretare e përgjithshme e sindikatës studentore UNEF.
“Duam t’i tregojmë qeverisë se do të shkojmë deri në fund me kërkesat tona dhe nuk do të kënaqemi me pak”, tha Coppélia Moreau, përfaqësuese e organizatës studentore “Interfac IDF”.
Protestuesit kundërshtojnë masat e qeverisë, të cilat i konsiderojnë të pamjaftueshme.
Ata kërkojnë shfuqizimin e platformës së orientimit universitar “Parcoursup” dhe krijimin e disa qindra mijëra vendeve të reja në universitete.
Qeveria franceze ka njoftuar më herët krijimin e 20 mijë vendeve shtesë në arsimin e lartë, zëvendësimin e ardhshëm të platformës “Parcoursup” dhe hapjen e vendeve të reja të punës në arsimin e mesëm.
Sipas AFP-së, mobilizimi i të rinjve vijon prej më shumë se dy muajsh, megjithëse bllokimet në shkolla dhe universitete janë pakësuar gjatë javëve të fundit.
Ministria e Arsimit të Lartë bëri të ditur se përqindja e institucioneve universitare të prekura nga protestat, ka rënë sot në 16%, nga 20-25% që ishte në ditët e mëparshme.
Megjithatë, organizatat studentore paralajmërojnë se protestat do të vijojnë edhe në javët e ardhshme, veçanërisht nëse qeveria nuk shpall masa të reja përpara Krishtlindjeve./mxh
