Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen u tha liderëve të Bashkimit Evropian se ka ardhur koha që blloku të fillojë të shqyrtojë një mandat të mundshëm për negociata me Rusinë lidhur me luftën në Ukrainë.
Megjithatë, ajo theksoi se Volodymyr Zelensky dhe Ukraina duhet të mbeten në qendër të çdo procesi diplomatik, sipas Euronews.
Gjatë një takimi me dyer të mbyllura të liderëve të BE-së në Bruksel, von der Leyen argumentoi se sanksionet po ushtrojnë presion të fortë mbi ekonominë ruse.
Sipas saj, inflacioni po rritet dhe treguesit ekonomikë sugjerojnë se ekonomia e Rusisë po humbet vrullin.
Ajo shtoi gjithashtu se zhvillimet e fundit në fushëbetejë tregojnë një ndryshim të dukshëm të dinamikës në favor të Ukrainës.
Diskutimi erdhi pasi presidenti i Këshilli Evropian, Antonio Costa, hapi një kanal diplomatik me Kremlinin përmes një bisede me këshilltarin e lartë të presidentit rus Yuri Ushakov.
Ky veprim shkaktoi debate mes vendeve anëtare, veçanërisht atyre në krahun lindor të BE-së, të cilat kërkojnë rritjen e presionit ndaj Moskës përpara çdo afrimi diplomatik.
Pas samitit, von der Leyen deklaroi se Evropa duhet të jetë një nga arkitektët e një paqeje të drejtë dhe afatgjatë.
“Herët a vonë, Rusia do të duhet të ulet në tryezën e negociatave, kryesisht për shkak të presionit të sanksioneve. Kur të vijë ai moment, Evropa duhet të ketë një mesazh të bashkuar për presidentin Putin”, tha ajo.
Nga ana e tij, Zelensky u tha liderëve evropianë se mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës është dobësimi i mëtejshëm i Rusisë.
Ai paralajmëroi se një armëpushim pa garanci sigurie nuk do të ishte i mjaftueshëm për Ukrainën dhe përsëriti se presidenti rus Vladimir Putin nuk ka treguar ende gatishmëri reale për negociata.
Sipas tij, ideja e një negociatori të BE-së mbetet hipotetike derisa Moska të shfaqë vullnet për t’u ulur në tryezën e bisedimeve./mxh
