Sanae Takaichi mund të duket se mban vlera të vjetruara, por është oferta e saj ekonomike ajo që ka kapur imagjinatën e të rinjve.
Karin Kaneko*
Japonia rrallëherë ka pasur një kryeministre kaq të guximshme dhe kaq të aftë në përdorimin e rrjeteve sociale sa Sanae Takaichi, udhëheqësja e parë femër e vendit.
Ndërsa kryeministra të mëparshëm janë bërë viralë për momente aspak dinjitoze – si pamja e njërit që gëlltiste një onigiri me një kafshim të çrregullt, apo një tjetri i kapur duke fjetur në parlament gjatë një vote kyçe – Takaichi po lexohet nga mbështetësit e saj si simbol i një epoke të re udhëheqjeje, një epokë që ata mendojnë se Japonisë i ka munguar vitet e fundit.
Vetëm në muajin janar, daljet e para diplomatike të Takaichit kanë prodhuar imazhe virale të një lloji që politika japoneze rrallëherë gjeneron. Një video ku ajo i bie daulles bashkë me presidentin e Koresë së Jugut, Lee Jae Myung, nën ritmet e këngës Dynamite të BTS-së dhe Golden nga seriali i Netflix-it KPop Demon Hunters, u përhap me shpejtësi në internet, aq sa disa menduan se ishte krijuar nga inteligjenca artificiale. Shumë prisnin një përplasje mes saj dhe Lee-së, ndaj ky moment ndihmoi në forcimin e imazhit të saj si një udhëheqëse e besueshme, e aftë të lundrojë mes sfidave gjeopolitike.
Popullariteti i saj nuk kufizohet vetëm në diplomaci. Ajo është aq e dashur sa ka krijuar edhe një lloj “fandom-i” të vetin, të quajtur “Sana-katsu” – diçka që zakonisht lidhet me idhujt e popit, jo me kryeministrat – ku mbështetësit shpërndajnë video dhe imitojnë stilin e saj, deri edhe duke përdorur të njëjtin stilolaps.
Por në zemër të këtij popullariteti, veçanërisht mes të rinjve, qëndron një paradoks interesant. Jashtë Japonisë, Takaichi shpesh portretizohet si jo fort feministe për shkak të qëndrimeve të saj socialisht konservatore, përfshirë kundërshtimin ndaj reformave ligjore që do t’u lejonin çifteve të martuara të mbanin mbiemra të ndryshëm, si edhe ndaj martesave mes personave të të njëjtit seks. Tradicionalisht, këto janë çështje që do të priteshin të ishin të rëndësishme për një elektorat të ri dhe progresist.
Atëherë, çfarë e shpjegon mbështetjen e pazakontë që ajo gëzon në këto grupmosha? Sipas një sondazhi të Sankei Shimbun/FNN, të zhvilluar në mesin e dhjetorit, miratimi për kabinetin e saj ishte 92% mes të rinjve nga 18 deri në 29 vjeç – një shifër e rrallë, kur dihet se shumica e votuesve të rinj shpesh janë të shkëputur nga politika.
Në pamje të parë, mund të duket sikur Japonia po zhvendoset djathtas – një prirje që po vërehet në mbarë botën – veçanërisht teksa ankthi rreth emigracionit dhe pranisë së të huajve po bëhet temë gjithnjë e më e dukshme politike. Në Japoni, kjo ndjesi është edhe më e theksuar, pasi qytetarët përballen me identitetin e tyre si shoqëri homogjene dhe realitetin e një popullsie në rënie.
Por një vështrim më i thellë sugjeron se arsyeja është më tepër ekonomike sesa ideologjike. Për votuesit e rinj, jeta po bëhet gjithnjë e më e papërballueshme: pagat nuk po ecin me rritjen e çmimeve, ndërsa jeni i dobët ul fuqinë blerëse. Në të njëjtën kohë, kontrata sociale duket gjithnjë e më e pabarabartë. Të rinjtë paguajnë taksa dhe sigurime shoqërore gjithnjë e më të larta, por dyshojnë se do të përfitojnë të njëjtin nivel sigurie në të ardhmen, sidomos për pensionet, në një shoqëri që po plaket me shpejtësi. Sipas projeksioneve zyrtare të qeverisë, Japonia ka kaluar nga 7.7 punëtorë që mbështesnin një të moshuar në vitin 1975, në rreth 1.9 punëtorë për një të moshuar në vitin 2025.
Si një grua në mesin e të 20-ave, e ndiej peshën që mban brezi im – ndjesinë se objektivat që prindërit tanë arritën në këtë moshë janë sot shumë më të vështira. Bashkëmoshatarët e mi ankohen shpesh për rritjen e çmimeve të përditshme (produktet bazë, si orizi, janë dyfishuar në çmim brenda një viti) dhe për vështirësitë në krijimin e një familjeje, kur një të ardhur e vetme rrallëherë mjafton dhe shtatzënia apo kujdesi për fëmijët ende mund të shkatërrojnë një karrierë.
Në këtë kontekst bie mesazhi ekonomik i Takaichit. Ajo ka mbështetur lehtësime fiskale, përfshirë rritjen e pragut të tatimit mbi të ardhurat dhe zgjerimin e zbritjeve tatimore për të rritur të ardhurat neto. Për një të ri që sheh zbritjet mujore të rriten ndërsa fuqia reale blerëse bie, premtimi për më shumë para në xhep është i vështirë për t’u shpërfillur.
Meqë Takaichi ka shpallur zgjedhje të parakohshme për 8 shkurt, premtimi i saj varet nga fakti nëse ajo mund të fitojë shumicën. Por duhet të ecë me kujdes. Sipas Reuters, miratimi për të ka rënë, ndërsa votuesit po bëhen gjithnjë e më skeptikë nëse paketa e saj stimuluese, e nisur në fund të vitit të kaluar, do ta ndihmojë realisht votuesin mesatar përballë kostove në rritje. Shqetësimet se Japonia mund të marrë edhe më shumë borxh për të financuar këto masa nuk e kanë ndihmuar imazhin e saj.
Megjithatë, në situatën aktuale ekonomike, një pjesë e apelit të saj të pamohueshëm qëndron në faktin se ajo nuk vjen nga një dinasti politike. Në një sistem të mbushur me burra që duket se trashëgojnë vendet në Dietë si pronë familjare, Takaichi dallohet si dikush që ka arritur majat në një kulturë politike që rrallëherë ua ka lehtësuar rrugën grave.
Mes bashkëmoshatarëve të mi, guximi i saj është pjesë e tërheqjes. “Dikush që mund t’i bëjë gjërat të ndodhin” është një shprehje që e dëgjoj shpesh. Edhe pse jam një votuese me prirje progresiste, nuk mund ta mohoj karizmën e Takaichit dhe forcën tërheqëse që ajo ka. Ka shumë gjëra për t’u admiruar tek ajo, si diplomacia e saj e sigurt dhe stili modern i udhëheqjes.
Por nuk jam e bindur se ajo është përgjigjja. Koha e zgjedhjeve të parakohshme është e vështirë për t’u mbrojtur, kur duket si një përpjekje cinike për të përfituar nga kulmi i sondazheve, më shumë sesa si vendimi më i mirë për vendin. Financimi dhe zbatimi i premtimeve të saj elektorale – si uljet e përkohshme të taksave për produktet bazë – mbeten të paqarta. Dhe pamja është e keqe kur partia e saj rikonfirmon figura të lidhura më parë me një skandal fondesh të fshehta, pasi në vitin 2023 disa anëtarë të partisë që ajo drejton tani u zbuluan se kishin marrë fonde të padeklaruara që arrinin pothuajse 600 milionë jen.
Duke parë se si vende të tjera kanë rënë pre e narrativave karizmatike të “të huajve” politikë, jam e kujdesshme të mos e ngatërroj një imazh bindës me aftësinë reale për të qeverisur, sidomos kur vendi ka kaq shumë probleme reale për të zgjidhur.
*Karin Kaneko është gazetare e pavarur dhe ish-reportere e Japan Times/ Përgatiti për botim: L.Veizi
