Last Updated on 05/12/2025 by Monika
Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar ngjarjen e rëndë që tronditi Durrësin, ku 15-vjeçari Erion Boba humbi jetën pasi u godit me thikë nga një tjetër i mitur. Lala e cilësoi rastin “shumë të rëndë dhe të dhimbshëm”, duke kërkuar përgjigje mbi mënyrën se si u trajtua i mituri në spital.
Fillimisht ishte raportuar se ngjarja erdhi pas një konflikti mes dy adoleshentëve, një debat që dyshohet se kishte nisur në platformën TikTok. Pas ndërhyrjes së parë kirurgjikale në spitalin e Durrësit, u njoftua se operacioni kishte qenë i suksesshëm. Megjithatë, gjendja e 15-vjeçarit u përkeqësua dhe ai u transferua në reanimacionin e QSUT-së, ku më pas humbi jetën.
Lala rrëfeu se ishte kontaktuar nga një familjare e viktimës që kërkonte ndihmë, duke thënë se djali kishte nevojë për trajtim më të specializuar. Familja, e ardhur nga Bulqiza dhe e tronditur nga ngjarja, sipas gazetares, ishte përpjekur të kërkonte ndihmë urgjente, por pa marrë përgjigjen e duhur në kohë. “Ndërsa përpiqesha të gjeja një mënyrë për t’i ndihmuar, më njoftuan se Erioni kishte ndërruar jetë,” tregoi Lala.
Gazetarja kërkoi që autoritetet shëndetësore të japin shpjegime për trajtimin e 15-vjeçarit, duke theksuar se duhet transparencë e plotë mbi atë që ka ndodhur në momentet kritike. “QSUT dhe Ministria e Shëndetësisë duhet të sqarojnë çdo detaj,” u shpreh ajo.
