Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 35 vite burg për vrasësin e dyshuar me inicialet V.K., të Briken Sinajt. në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.
Për ngjarjen e ndodhur në vitin 2022, organi i akuzës ka arritur në përfundimin se vrasja është kryer për motive hakmarrjeje, për shkak të një konflikti të mëparshëm që autori kishte pasur me vëllain e viktimës.
Sipas prokurorisë, ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi i Prokurorisë:
“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë kërkon 35 vite burg për shtetasin V.K., për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje me paramendim’ dhe ‘Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit’ parashikuar nga nenet neni 78/2 dhe 278/1 të Kodit Penal me viktimë shtetasin B.S.
Si dhe dënimin me nga 3 dhe 2 vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ parashikuara nga neni 300 i Kodit Penal, si dhe dënimin me 5 dhe 2 vite burgim për shtetasit E.H., dhe Z.K., të akuzuar për veprat penale ‘Përkhrahja e autorit të krimit’ dhe ‘Veprime që pengojnë drejtësinë’ parashikuar nga nenet 302 dhe 301 të Kodit Penal.
Në përfundim të hetimeve mbi procedimin penal nr. 7911 të vitit 2022, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vlerësoi se shtetasi V.K. ka kryer me paramendim për hakmarrje vrasjen e shtetasit B.S., pasi ka pasur një konflikt me vëllain e tij, shtetasin R.S. vite më parë. Ai kreu një sërë veprimesh për të mos lënë gjurmë me ardhjen dhe largimin nga Shqipëria, duke hyrë e dalë nga Mali i Zi dhe duke blerë mjet tip veturë pa kryer veprime noteriale. Ky shtetas vite më parë ka pasur konflikt me vëllain e viktimës dhe ai dhe familjarët kanë pasur pretendime për plagosjen e familjarit të tyre.
Po kështu, në lidhje me këtë hetim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, kërkoi dëmin e tre dhe dy vite burg për shtetasit Gj.K. dhe K.A. të cilët edhe pse kishin dijeni nuk kallëzuan emrin e personit për të cilin kishin shitur makinën me të cilën u krye vrasja e viktimës, pa kontratë.
Ndërsa kërkesa për dënimin me pesë vite burg u bë për shtetasin E.H., i cili rezultoi se ka pritur në Malin e Zi shtetasin V.K., si dhe ka bërë përcjelljen e tij po nga ky shtet dhe ka siguruar dhomën e hotelit dhe qëndrimin duke përkrahur autorin e krimit. Së fundmi, për shtetasin Z.K., u kërkuan dy vite burgim pasi ka kryer fshirjen e kamerave të sigurisë kur i pandehuri V.K., kanë drekuar dhe kanë kryer blerjen e mjetit.”
Si ndodhi ngjarja?
Ngjarja ka ndodhur në tetor të vitit 2022 te “Kodra e Diellit”, ku Briken Sanaj është qëlluar për vdekje nga një distancë e afërt. Autorët dyshohet se kanë qenë në një tjetër makinë, në kohën që kanë qëlluar Sanajn, i cili sapo kishte dalë nga garazhi ku kishte lënë makinën. 39-vjeçari kishte marrë tre plumba dhe ishte dërguar në spital nga shoku i tij me një makinë tip ‘Audi’, por për shka të plagëve të marra, ai ka humbur jetën gjatë rrugës.
Sanaj kishte më shumë se një vit që ishte rezident te ‘Kodra e Diellit’, ndërsa nga rojet njihej edhe me emrin si Anton Gjini. Policia njoftoi se në Qafë-Kashar, në afërsi të një biznesi pllakash, është gjetur duke u djegur, një automjet tip ‘Benz’, me targa ‘AA777GY’, që dyshohet se u përket autorëve. Targat e makinës tip ‘Benz’ rezultojnë të vjedhura. Brenda makinës janë gjetur edhe armë tip kallashnikov./k.m
