Last Updated on 04/05/2026 by Anisa
Njëmbëdhjetë persona janë çuar këtë të hënë para prokurorit të Shkallës së Parë në Serres, mes tyre edhe një shqiptar dhe një gjeorgjian, të cilët dyshohet se janë autorët kryesorë të vrasjes së dyfishtë që tronditi burgun e Nigritës.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së dielës, rreth orës 16:00, brenda sektorit të qelive disiplinore, gjatë kohës së ajrimit të të burgosurve. Sipas të dhënave të para, disa të burgosur dolën nga qelitë e tyre, thyen drynat e qelive të tjera dhe më pas, në mënyrë të organizuar, sulmuan me mjete të mprehta – kryesisht thika të improvizuara – të burgosur të tjerë.
Nga sulmi mbetën të vdekur një 46-vjeçar algjerian me shtetësi palestineze dhe një 43-vjeçar irakian, ndërsa përplasja dyshohet se lidhet me larje hesapesh mes grupeve brenda burgut. Dëshmitë flasin për një sulm të shpejtë dhe të dhunshëm, që krijoi panik në ambientet e burgut.
Menjëherë ndërhynë punonjësit e burgut për të ndarë të përfshirët dhe për të dhënë ndihmën e parë, ndërsa në vendngjarje mbërriti edhe ambulanca e urgjencës. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan dy thika të improvizuara dhe objekte të tjera metalike që dyshohet se janë përdorur në sulm.
Policia arrestoi gjithsej 11 persona, 8 grekë dhe 3 të huaj. Sipas informacioneve, shqiptari dhe gjeorgjiani konsiderohen si autorët e drejtpërdrejtë të vrasjes, ndërsa nëntë të tjerët akuzohen për pjesëmarrje në përleshjen e përgjakshme.
Hetimet vijojnë nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve në Serres, ndërkohë që është urdhëruar edhe një hetim disiplinor për të sqaruar plotësisht rrethanat e incidentit dhe mënyrën si ndodhi kjo përplasje brenda një zone të kontrolluar si burgu.
