Last Updated on 09/08/2026 by Anisa
Ky është momenti i arrestimit të Kristi Sterjos, 20-vjeçarit të dyshuar për vrasjen e Joan Zukos.
Sterjo u arrestua në mesnatë nga efektivët e Policisë së Korçës, pranë Mitropolisë. Sipas të dhënave paraprake, i riu ishte kthyer në zonë për të shkuar në banesë, ku dyshohet se do të merrte para për të vijuar arratinë.
Policia e lokalizoi dhe e prangosi para se të mund të largohej sërish.
Njoftimi i Policisë:
Identifikohet, kapet dhe arrestohet, pas disa orësh kërkimesh nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në Korçë.
Vrau me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë.
Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka pasur një konflikt për motive të dobëta midis disa shtetasve, i cili është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi J. Z., 21 vjeç.
Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, në cilësinë e provës materiale.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj./ad
