Last Updated on 06/11/2026 by EL
Një 44-vjeçar shqiptar është arrestuar në Athinë, i dyshuar për vrasjen e dyfishtë që tronditi zonën e Loutrakit në tetor të vitit 2020. Ai dyshohet se përdorte dokumente identifikimi të falsifikuara dhe kishte arritur t’i shmangej drejtësisë për rreth gjashtë vite.
Arrestimi u krye pas një operacioni të koordinuar nga Departamenti i Vrasjeve. Gjatë kontrollit në apartamentin ku u lokalizua, policia gjeti një pistoletë të mbushur me fishekë dhe dy granata dore.

Krimi i dyfishtë që tronditi Loutrakin
Ngjarja e rëndë ndodhi më 11 tetor 2020, kur në një banesë pushimi në zonën e Flamburos, në Korinth, u gjetën të pajetë 43-vjeçarja Svetlana, e njohur edhe me emrin Fotini, dhe farmacisti 42-vjeçar Ioannis Zonitsas.
Të dy viktimat ishin vrarë me goditje të shumta me sëpatë. Që në fillim të hetimeve, dyshimet u përqendruan te ish-partneri i gruas, i cili dyshohet se nuk kishte pranuar ndarjen.
Sipas hetimeve të asaj kohe, 43-vjeçarja kishte nisur një lidhje me farmacistin, ndërsa ish-partneri shqiptar dyshohet se kishte hyrë në banesë dhe i kishte gjetur të dy së bashku.
Pas krimit, autori dyshohet se kishte marrë makinën e gruas dhe më pas e kishte djegur për të zhdukur gjurmët. Ai ishte zhdukur, ndërsa policia kishte hetuar edhe mundësinë e arratisjes së tij drejt Shqipërisë.

