Artisti rus dhe kritik i Putinit u qëllua për vdekje në Poloninë lindore
Një artist rus që kishte kritikuar Vladimir Putinin u vra në qytetin lindor polak Biała Podlaska.
Sipas Marcin Kozak, zëdhënës i prokurorisë së rrethit në Lublin, u qëlluan pesë plumba ndaj viktimës, përfshirë një në kokë, raporton The Guardian. Ai shtoi se dy shtetas bjellorusë janë ndaluar, por ende nuk janë akuzuar në lidhje me rastin.
Viktima identifikohet si Robert Kuzovkov, me pseudonimin artistik Semyon Skrepetsky, një artist dhe performues rus i njohur për kritikat ndaj liderit rus.
Tre ditë para se të vritej, Skrepetsky kishte udhëtuar në Berlin në Ditën e Rusisë, një festë më 12 qershor që shënon shpalljen e sovranitetit të vendit para shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ku ai kishte organizuar një protestë me një karikaturë në stil ikonash të Jozef Stalinit dhe Putinit.
Identiteti i viktimës do të jetë një element kyç për hetimin, sipas Kozak.
Polonia shprehet se roli i saj si qendër për furnizime ushtarake dhe të tjera drejt Ukrainës e ka bërë atë një objektiv për spiunët rusë që përpiqen të mbledhin informacione mbi mbështetjen për Kievin, si dhe të kryejnë akte sabotimi./mxh
