Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, deklaroi se Mali i Zi është në mesin e vendeve më të avancuara në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Wadephul foli në Podgoricë së bashku me homologun e tij malazez, ministrin e jashtëm Ervin Ibrahimović, si pjesë e një turi në vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin në BE.
Sipas Wadephul, raporti më i fundit i progresit të Komisionit Evropian vlerëson përparimet e Malit të Zi, dhe qeveria gjermane është shumë e kënaqur me hapat e ndërmarrë deri tani.
Ai pranoi se “sprinti final është zakonisht më i lodhshmi”, por theksoi se objektivi i anëtarësimit në BE është i arritshëm dhe se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë Malin e Zi në këtë proces.
Vizita e Wadephul përfshin gjashtë shtete të Ballkanit Perëndimor, ku temat kryesore të diskutimeve janë procesi i integrimit evropian dhe lufta në vazhdim në Ukrainë./MXH
