Amanda Seyfried dhe bashkëshorti i saj, aktori Thomas Sadoski, janë ndarë pas gati një dekade martesë. Çifti, i cili ka dy fëmijë, bëri të ditur më 15 shtator se nuk janë më bashkë.
Në një deklaratë për People, Seyfried, 40 vjeç, dhe Sadoski, 50 vjeç, thanë se kishin qenë të ndarë prej një kohe.
“Jemi ndarë prej njëfarë kohe dhe ka rezultuar se ky ka qenë vendimi i duhur për ne dhe familjen tonë. Do ta kemi njëri-tjetrin përgjithmonë dhe kështu është mirë”, u shprehën ata.

Seyfried dhe Sadoski u martuan në vitin 2017, pasi u njohën gjatë punës për shfaqjen jashtë Broduejit “The Way We Get By”.
Martesa e tyre ishte mjaft private. Sadoski ka treguar më herët për People se të dy kishin vendosur të martoheshin në mënyrë të fshehtë.
“U martuam pa ceremoni të madhe. Thjesht u nisëm drejt një zone jashtë qytetit me një person që do të kryente ceremoninë dhe ishim vetëm ne të dy. Ishte e bukur. Ishte gjithçka që duhej të ishte. Ishim vetëm ne të dy duke folur me njëri-tjetrin”, rrëfeu ai.

Vetëm pak ditë pas martesës, çifti u bë prindër për herë të parë të një vajze, Nina. Në vitin 2020, familja u zgjerua me ardhjen në jetë të djalit të tyre, Thomas Jr.
Në intervistat e mëparshme, Seyfried e përshkruante marrëdhënien me Sadoski-n si një kombinim “yin dhe yang”, veçanërisht për mënyrën se si të dy përballonin prindërimin.
Në vitin 2023, aktorja tregoi për një moment që e kishte bërë të vlerësonte mënyrën se si bashkëshorti i saj sillej me fëmijët.
“Dje pashë bashkëshortin tim, Tom, dhe i thashë: ‘Zot, kjo ishte një mënyrë shumë e mirë për të qenë prind. E ndalove sjelljen vetëm me tonin e zërit’. Pastaj hyra brenda… ishte një moment shumë i bukur”, tregoi ajo.

Megjithatë, në një intervistë për Vogue në fillim të këtij viti, Seyfried kishte folur edhe për mënyrën se si Sadoski e kishte mbështetur karrierën e saj.
Aktorja tha se ai “sakrifikon shumë” për të dhe shtoi se bashkëshorti e kupton se mundësitë profesionale që ajo po merr në këtë periudhë janë të jashtëzakonshme. Seyfried tha gjithashtu se shpesh refuzon oferta dhe projekte, pavarësisht mundësive që i paraqiten.
Ndarja e tyre vjen pas gati 10 vitesh nga momenti kur nisën martesën dhe pasi së bashku ndërtuan një familje me dy fëmijë./k.m
