Dy princër skithë, të varrosur rreth 3 mijë vjet më parë në stepat e Siberisë, rezultojnë se përdornin kanabisin si lëndë narkotike. Arkeologët kanë zbuluar pranë varreve të tyre rreth 1,400 fara kanabisi, ndërsa analizat e flokëve të ruajtura të princërve kanë konfirmuar praninë e një substance që krijohet nga oksidimi i përbërësit psikoaktiv të bimës.
Zbulimi është bërë në luginën e Uyuk, në Republikën ruse të Tuvës, pranë kufirit me Mongolinë. Sipas studiuesve nga Universiteti i Bernës dhe Instituti Max Planck për Gjeoantropologjinë, bëhet fjalë për dëshminë më të hershme të njohur deri më tani për përdorimin e kanabisit si drogë.
Bima e kanabisit kultivohej që rreth 6 mijë vjet më parë, kryesisht për prodhimin e vajit ushqimor dhe fibrave që përdoreshin për tekstile. Megjithatë, prania në flokët e princërve e kanabinolit, një substancë që formohet nga oksidimi i THC-së, përbërësit psikoaktiv të kanabisit, tregon se bima përdorej edhe për efektet e saj në mendje dhe humor.
Rreth 1,400 farat u gjetën në një varr princëror që daton në shekullin e tetë para Krishtit. Sipas arkeologut Gino Caspari, i cili drejtoi gërmimet, ky zbulim tregon se kanabisi kishte një rol të rëndësishëm në ritualet e varrimit të këtij populli.
“Zbulimi ynë i shtohet një numri të madh dëshmish arkeologjike që tregojnë përdorimin e bimëve me efekte në mendje dhe humor nga popujt e lashtë”, shkruajnë studiuesit në revistën shkencore Science.
Deri më tani, dëshmitë më të hershme të njohura për përdorimin e kanabisit si substancë psikoaktive datonin rreth 2,500 vjet më parë. Në vitin 2019, në malet e Pamirit, në Kinën perëndimore, u gjetën gjurmë të bimës në një enë për djegie, brenda një varreze. Edhe në atë rast, studiuesit besonin se kanabisi ishte përdorur gjatë ceremonive mortore.
Ndërkohë, në një varr tjetër aristokratik në shkretëtirën e Taklamakanit janë zbuluar më parë gjethe kanabisi, me peshë afërsisht një kilogram, që datonin rreth 2,500 deri në 2,700 vjet më parë. Edhe historiani i lashtë Herodoti kishte përshkruar përdorimin e bimëve të djegura dhe thithjen e tymit të tyre nga skithët, në shekullin e pestë para Krishtit.
Studiuesit theksojnë se zbulimi i fundit është veçanërisht i rëndësishëm, pasi bëhet fjalë për fara të ruajtura për mijëra vjet, një pjesë e bimës që rrallë mbijeton kaq gjatë. Edhe ruajtja e flokëve të princërve, që ende kishin gërsheta, u ka mundësuar arkeologëve të kryejnë analiza të hollësishme.
Nga përmasat e vogla, studiuesit dyshojnë se farat mund të kenë ardhur nga bimë të egra. Megjithatë, analizat e ADN-së janë ende në proces dhe pritet të japin më shumë informacion. Nuk janë gjetur enë për djegien e bimëve apo mjete të tjera që do të tregonin se kanabisi thithej përmes tymit. Për këtë arsye, studiuesit nuk përjashtojnë mundësinë që farat të jenë konsumuar edhe si ushqim.
Gërmimet në zonën e Tunnug kanë zbuluar gjithashtu gjurmë të sakrifikimit të kuajve pranë varreve të princërve. Sipas Casparit, ka mundësi që në këto rituale të jenë kryer edhe sakrifica njerëzore. Gërmime të mëparshme në zonë kanë nxjerrë në dritë eshtra njerëzish dhe të dhjetëra kuajve, të mbuluara me gurë.
Këto zbulime përputhen me përshkrimet e Herodotit për një ritual të pazakontë mortor të skithëve, të cilin ai e quante “kalërimi fantazmë”, ku luftëtarë dhe kuaj sakrifikoheshin për nder të princit të vdekur.
Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara për vitin 2022, kanabisi përdorej nga rreth 4.4% e popullsisë së botës, duke qenë substanca e paligjshme më e përhapur, pas alkoolit dhe duhanit./mxh
