Një zbulim mahnitës ka tronditur botën shkencore këtë vit. Një grup kërkuesish nga Instituti Oqeanografik i Monterey Bay (MBARI) në Kaliforni ka identifikuar tre specie të reja peshqish “snailfish”, që jetojnë në thellësi mbi 3.000 metra nën nivelin e detit.
Peshqit u zbuluan gjatë një ekspedite kërkimore në kanionin Monterey Canyon, një nga zonat më të mëdha nënujore në brigjet e Shteteve të Bashkuara. Falë përdorimit të kamerave robotike dhe teknologjisë së avancuar nënujore, studiuesit arritën të filmojnë për herë të parë këta organizma të pazakontë që kanë trup të butë, lëkurë pothuajse transparente dhe forma trupore të përshtatura për presionin ekstrem të thellësive.
Ekspertët e MBARI sqarojnë se këto specie kanë një strukturë biologjike unike që i lejon të mbijetojnë në temperatura shumë të ulëta dhe në mungesë pothuajse totale të dritës. “Është dëshmi se jeta arrin të përshtatet edhe në kushtet më ekstreme të planetit,” shpjegon biologu detar Thomas Linley, pjesë e ekipit kërkimor.
Zbulimi tregon edhe një herë se oqeanet mbeten misteri më i madh i Tokës, pasi më shumë se 80% e thellësive të tyre ende nuk janë eksploruar. Studiuesit besojnë se ky është vetëm fillimi i një serie zbulimesh që do të ndihmojnë në kuptimin e evolucionit të jetës dhe në zhvillimin e teknologjive të reja për kërkimet nënujore.
Ky hulumtim u publikua nga revista shkencore Oceanographic Magazine dhe ka marrë jehonë të madhe në mediat ndërkombëtare, duke u cilësuar si një nga zbulimet më interesante të vitit në fushën e biologjisë detare./KM
