Pengjet e mbajtura në Gaza do të lirohen herët të hënën në mëngjes, tha një zëdhënëse e zyrës së kryeministrit izraelit, duke “korrigjuar” një deklaratë të zëvendëspresidentit të SHBA-së J.D. Vance, i cili tha se lirimi i tyre pritet të ndodhë nga momenti në moment.
Shosh Bedrosian shtoi se pengjet do të lirohen të gjithë në të njëjtën kohë dhe do të transferohen në Kryqin e Kuq përpara se të kthehen në Izrael.
Ajo shtoi se Hamasi nuk do të organizojë asnjë ceremoni propagande pas lirimit të pengjeve, siç bëri në shkëmbimet e mëparshme, sipas CNNi.
Këtë herë, 20 pengjet e gjalla që mbahen në Gaza do të “lirohen njëkohësisht dhe do të transportohen me gjashtë deri në tetë automjete në Kryqin e Kuq pa ndonjë shfaqje nga Hamasi, organizata terroriste”, shtoi Bedrosian.
Kujtojmë se ka ende 20 pengje të gjalla në Gaza, ndërsa rreth 250 palestinezë të dënuar dhe 1,700 të mbajtur që nga sulmet e 7 tetorit do të lirohen nga burgjet izraelite.
Lirimi i tyre, siç tha zëdhënësja e Netanyahut, do të bëhet sapo pengjet të kalojnë kufirin me Izraelin.
“Të burgosurit palestinezë do të lirohen sapo Izraeli të marrë konfirmimin se të gjithë pengjet tona do të kalojnë kufirin për në Izrael”, tha Shosh Bedrosian.
“Dhe sapo të marrim këtë konfirmim, të burgosurit do të jenë tashmë në autobusë që do të nisen menjëherë”, shtoi ai.
Më parë, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, në një intervistë me NBC Neës, kishte theksuar se lirimi i pengjeve pritej në çdo moment:
“Në çdo kohë, pengjet nga Gaza mund të lirohen”, tha ai, duke shtuar se “Shtetet e Bashkuara nuk kanë ndërmend të vendosin forca ushtarake në Rripin e Gazës ose në Izrael”. m.p.
