Qeveria e Zelandës së Re ka prezantuar të hënën një projektligj që synon ndalimin e përdorimit të mediave sociale për personat nën moshën 16 vjeç.
Me këtë nismë, Zelanda e Re i bashkohet një grupi vendesh që po vendosin kufizime për përdorimin e platformave si Instagram, TikTok, Snapchat dhe Facebook nga të miturit.
Kryeministri Christopher Luxon tha se qeveria nuk mund të pranojë dëmet që, sipas tij, mediat sociale po u shkaktojnë fëmijëve dhe adoleshentëve.
“Thjesht nuk mund ta pranojmë dëmin që po i bëhet një brezi fëmijësh të Zelandës së Re”, deklaroi Luxon.
Sipas tij, një në tre fëmijë të moshës 13 deri në 17 vjeç kalon të paktën pesë orë në ditë në mediat sociale. Luxon paralajmëroi se ekspozimi ndaj përmbajtjeve të dëmshme dhe teknologjive që krijojnë varësi po ndikon në jetën familjare, shëndetin mendor, gjumin dhe arsimimin e të rinjve.
Nëse ligji miratohet, kompanitë e teknologjisë do të detyrohen të ndërmarrin masa për të verifikuar nëse përdoruesit janë mbi 16 vjeç. Për këtë qëllim mund të përdoren të dhënat ekzistuese të llogarive, vlerësimi i moshës përmes fytyrës, shërbimet e identifikimit digjital dhe dokumentet zyrtare.
Platformat do të duhet gjithashtu të vlerësojnë rreziqet që u paraqesin përdoruesve të rinj dhe të raportojnë masat e marra për t’i reduktuar ato.
Kompanitë që nuk respektojnë rregullat mund të përballen me gjoba deri në 10% të të ardhurave të tyre globale.
Australia vendosi në dhjetor kufizimin e parë në botë të këtij lloji, ndërsa edhe Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera kanë ndërmarrë masa për kufizimin e përdorimit të mediave sociale nga të miturit./ad
