Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka mbërritur në Miami të Shteteve të Bashkuara, ku pritet të zhvillojë një takim me Presidentin amerikan, Donald Trump.
Pamjet nga mbërritja e Zelenskiyt janë publikuar për mediat ditën e diel, më 28 dhjetor, ndërsa takimi në Florida shihet si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Sipas burimeve zyrtare nga zyra e presidentit ukrainas, bisedimet do të përqendrohen në hartimin e një plani për përfundimin e konfliktit, në një kohë kur dallimet mbi çështjet territoriale mbeten të thella dhe sulmet ajrore ruse po shtojnë presionin mbi Kievin.
Vetë Zelenskiy ka bërë të ditur se në fokus të takimit do të jenë e ardhmja e rajonit të kontestuar të Donbasit, si edhe çështja e centralit bërthamor të Zaporizhzhias, një nga pikat më të ndjeshme të konfliktit.
Takimi vjen pas disa javësh aktiviteti intensiv diplomatik, me Ukrainën që kërkon mbështetje të fortë nga partnerët perëndimorë, ndërsa afrohet ndërrimi i vitit dhe situata në terren mbetet e tensionuar./mxh
