Last Updated on 16/10/2026 by Monika
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i kërkoi sot Bashkimit Evropian mbështetje financiare shtesë për vendin e tij, duke paralajmëruar se lufta do të kërkojë shpenzime të mëdha edhe gjatë vitit të ardhshëm.
“Lufta do të kushtojë 155 miliardë euro vitin e ardhshëm dhe ne kemi nevojë për të paktën 70 miliardë euro të tjera nga ju, për mbrojtjen, armatimet dhe aftësinë tonë për t’i bërë ballë luftës”, u tha Zelensky udhëheqësve të BE-së gjatë samitit të zhvilluar në Bruksel.
Ai e cilësoi shumën e kërkuar si realiste dhe u bëri thirrje vendeve anëtare, të gjejnë mënyrën për ta siguruar këtë mbështetje.
Muajin e kaluar, ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, deklaroi se Ukrainës i mungonin 32,6 miliardë dollarë për të përballuar nevojat ekonomike dhe 45 miliardë dollarë për mbrojtjen.
Vitin e kaluar, Bashkimi Evropian miratoi një hua prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për t’u përdorur gjatë viteve 2026 dhe 2027.
Ndërkohë, BE-ja u ka kërkuar edhe aleatëve të tjerë ndërkombëtarë të shtojnë financimin për Kievin.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi dje se Evropa duhet të rrisë mbështetjen financiare për Ukrainën, përpara takimit me udhëheqësit e tjerë të Bashkimit Evropian./mxh
