Presidenti Volodymyr Zelenskyy tha se beson që Donald Trump dhe Xi Jinping kanë fuqinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë vetëm me një takim, por theksoi se çdo bisedime paqeje pa pjesëmarrjen e Kievit do të ishte një “gabim i madh”.
Duke folur për NBC News përpara takimit të ardhshëm trepalësh midis Shteteve të Bashkuara , Rusisë dhe Kinës , presidenti ukrainas kritikoi idenë se fuqitë e mëdha mund të vendosin vetë të ardhmen e shteteve të tjera.
“Vendet e mëdha besojnë se mund të marrin vendime për të ardhmen e botës”, tha ai, duke e bërë të qartë se “nuk mund të vendosësh për një vend, madje as për një të vogël, pa pjesëmarrjen e vetë vendit”.
“Mjafton që ata të kërcënojnë me sanksione mbi tregtinë me Rusinë”, shtoi ai.
Pavarësisht rezervave të tij për zhvillimin e bisedimeve pa përfaqësimin e Ukrainës, Zelensky argumentoi se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë fuqinë e nevojshme ekonomike dhe politike për ta detyruar Vladimir Putinin të ndalojë luftën.
Sipas presidentit ukrainas, “midis SHBA-së dhe Kinës ka fuqi të mjaftueshme për ta ndaluar Putinin në një takim”.
Siç shpjegoi ai, do të mjaftonte që Donald Trump dhe Xi Jinping të deklaronin se kanë ndërmend të vendosin sanksione mbi tregtinë me Rusinë.
“Dhe kaq ishte. Lufta mbaroi”, tha ai në mënyrë karakteristike, duke shprehur bindjen e tij se presioni i koordinuar SHBA-Kinë mund të çojë në përfundimin e armiqësive./ad
