Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi se vendimi për shpalljen e zgjedhjeve të reja do të merret nga “institucioni kompetent”, në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe interesat e qytetarëve.
Gjatë një vizite në pikën panoramike të Kablarit, Vuçiç u pyet nëse pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Serbisë për mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë janë krijuar kushtet për zgjedhje të parakohshme.
Ai tha se, sipas tij, koha ideale për zgjedhje do të kishte qenë korriku ose gushti, por shtoi se kishte pasur kritika pasi shumë qytetarë ndodheshin me pushime.
“Sa më përket mua, koha ideale për zgjedhje ishte korriku dhe gushti, por atëherë më kritikuat se votuesit ishin me pushime. Do të pres që ata votuesit më të pasur të kthehen nga pushimet dhe pastaj do t’i shpall zgjedhjet”, deklaroi Vuçiç.
Presidenti serb përsëriti se është i gatshëm të pranojë rezultatin e zgjedhjeve, edhe në rast humbjeje, duke kërkuar të njëjtin angazhim nga kundërshtarët e tij politikë.
“Ose jeni demokratë, ose jeni mashtrues dhe gënjeshtarë. Nëse humbim qoftë edhe me një për qind, do ta urojmë fituesin po atë mbrëmje dhe do t’i urojmë sukses në drejtimin e Serbisë drejt një të ardhmeje më të mirë”, tha Vuçiç.
Ai iu referua edhe studentëve që kanë organizuar protesta dhe bllokada, duke i pyetur nëse do t’i pranonin rezultatet në rast se nuk do të ishin fitues.
Duke komentuar deklaratat e partisë opozitare Srbija Centar, e cila e akuzoi se po përpiqet të manipulojë votuesit përmes deklaratave për pranimin e një humbjeje të mundshme, Vuçiç sulmoi liderin e saj Zdravko Ponos.
“Zdravko Ponoš në zgjedhje do të marrë 0,0 ose 0,1 për qind”, deklaroi presidenti serb.
Vuçiç tha gjithashtu se sipas sondazhit të fundit të publikuar nga “Nova srpska politička misao” (NSPM), Partia Progresive Serbe (SNS) po rrit mbështetjen, ndërsa lista e studentëve po humbet terren.
“Unë e di fundin, ata do të fitojnë. Jam përgatitur t’u uroj fitoren, nuk kam asnjë problem me këtë. Do ta përsëris urimin atë mbrëmje kur të përfundojnë zgjedhjet”, tha ai.
Sipas sondazhit të NSPM, lista e studentëve mbështetet nga 39.6% e qytetarëve, ndërsa lista e udhëhequr nga SNS nga 37.5%.
Pragun zgjedhor, sipas të njëjtit sondazh, do ta kalonin edhe Partia Socialiste e Serbisë (SPS) me 4.9%, një koalicion i mundshëm opozitar me 5.6%, si dhe koalicioni i Partisë së Lirisë dhe Drejtësisë (SSP), SRCE dhe Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë (PSG) me 4.2%.
Në parlament do të hynte gjithashtu edhe lista e lëvizjes “Ne – Forca e Popullit”, e udhëhequr nga Branimir Nestoroviq, me 3.8% të votave.
