Last Updated on 15/10/2026 by Anisa
Protesta studentore ka hyrë këtë të enjte në ditën e tretë, ndërsa bojkoti i mësimit është shtrirë në gjimnaze dhe fakultete në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Studentët dhe gjimnazistët po i bashkohen mobilizimit në mbështetje të protestës, ndërsa në kryeqytet ka nisur marshimi në rrugë.
Gjatë zhvillimeve të sotme, raportohet se protestuesit kanë thyer xhamat e Ministrisë së Infrastrukturës. Ngjarja shënon një tjetër përshkallëzim të situatës, pas përplasjeve dhe incidenteve të regjistruara gjatë protestave të ditëve të fundit.
Lëvizja është shtrirë edhe jashtë Tiranës. Në Durrës, studentët e Universitetit “Aleksandër Moisiu” janë thirrur të bojkotojnë mësimin dhe të mblidhen pranë kampusit universitar, me marshim të parashikuar drejt Bashkisë së qytetit.
Ndërkohë, në Korçë janë shpërndarë thirrje për mobilizimin e gjimnazistëve dhe bojkotimin e mësimit në shenjë solidariteti me protestuesit në kryeqytet. Edhe në Kamëz, gjimnazistët kanë bojkotuar orët e mësimit, duke iu bashkuar lëvizjes studentore.
Thirrjeve për protestë u janë bashkuar edhe studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja në Shkodër, të cilët kanë bojkotuar mësimin dhe kanë vendosur pankarta në ambientet e fakultetit.
Protestuesit kishin paralajmëruar mbledhjen në orën 10:00 para Kuvendit, në të njëjtën kohë kur ishte planifikuar të niste seanca plenare. Megjithatë, seanca u anulua pak minuta përpara orarit të parashikuar.
Protesta vijon në një klimë të tensionuar, ndërsa bojkoti i mësimit dhe mobilizimi i të rinjve po shtrihen në disa qytete të vendit./ad
