Last Updated on 12/10/2026 by EL
Një zjarr shpërtheu pasditen e së hënës, më 12 tetor, në një tren në provincën e Zaragozës, në Spanjë, duke shkaktuar evakuimin e 380 pasagjerëve në përputhje me protokollet e sigurisë. Sipas informacioneve paraprake, të gjithë pasagjerët janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk raportohet për persona të lënduar.
Sipas televizionit spanjoll RTVE, incidenti ndodhi në orën 16:05, kur treni, i cili ishte nisur nga stacioni Atocha në Madrid me destinacion Figueres, u ndal në zonën e Ricla-s, në provincën e Zaragozës. Zjarri u zbulua në kabinën e pasme të trenit.
Pas incidentit, trafiku hekurudhor mes Madridit dhe Barcelonës u pezullua. Trenat që ishin në shërbim u ndaluan, ndërsa kompania shtetërore Renfe, e cila menaxhon dhe operon rrjetin hekurudhor të Spanjës, konfirmoi përmes një deklarate se të gjitha nisjet e planifikuara janë anuluar.
Renfe ka aktivizuar masa mbështetëse për pasagjerët e prekur nga ndërprerja e shërbimit. Këto masa përfshijnë mundësinë e ndryshimit të biletave ose rimbursimin e tyre.
Kompania bëri të ditur se aktualisht nuk mund të përcaktojë se sa do të zgjasë ndërprerja e shkaktuar nga incidenti./et
