Aktori i njohur hollivudian George Clooney, bashkë me bashkëshorten e tij, Amal Clooney, dhe dy fëmijët e tyre, janë detyruar të largohen nga rezidenca e tyre në Brignoles, në jug të Francës, për shkak të zjarreve të fuqishme.
Lajmi u konfirmua nga asistenti i aktorit, i cili publikoi edhe një letër që Clooney i ka dërguar kryetarit të Bashkisë së Brignoles. Në të, aktori shpreh shqetësimin për situatën e krijuar, ndërsa thekson se ende nuk dihet nëse prona e familjes i ka shpëtuar flakëve.
“Nuk e dimë nëse shtëpia jonë do t’i mbijetojë kësaj fatkeqësie. Shpresojmë që ju dhe të gjithë banorët të jeni të sigurt. Amal dhe unë do të vazhdojmë të jemi pjesë e këtij komuniteti dhe do të kontribuojmë për ta rindërtuar, pavarësisht asaj që do të ndodhë”, shkruan Clooney në letrën e tij.
Prona, e vlerësuar në rreth 9 milionë euro, është një nga rezidencat më të njohura të aktorit në Evropë. Ndërkohë, autoritetet franceze vijojnë betejën me vatrat e shumta të zjarrit në jug të vendit. Temperaturat e larta, era e fortë dhe thatësira kanë favorizuar përhapjen e flakëve, duke detyruar mijëra banorë të evakuohen./mxh
