Last Updated on 14/04/2026 by EL
Drejtori i zjarrfikësve të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi për mediat se zjarri në pallatin 12-katësh pranë spitalit “Nënë Tereza” ka nisur në një biznes që ndodhej në katin e parë të objektit, ndërsa fasada ka ndikuar në përhapjen e flakëve.
Ai bëri të ditur se në vendngjarje janë angazhuar tre autoshkallë, ku dy janë në funksion dhe një tjetër në pjesën veriore, ndërsa të gjitha mjetet e nevojshme janë vënë në dispozicion për shuarjen e zjarrit.
Sipas Goxhajt, nga vëllimi i flakëve dyshohet se vatra fillestare ka qenë në katin e parë, ndërsa pas vendosjes së situatës nën kontroll do të nisë ekspertiza zyrtare për të përcaktuar shkaqet e plota të zjarrit.
Ai theksoi se forcat zjarrfikëse janë përqendruar në të dyja skajet e vatrave të zjarrit, si dhe në tarracën e pallatit, me qëllim izolimin dhe neutralizimin e flakëve.
Deri më tani, sipas tij, nuk ka informacion për pasoja fatale, ndërsa theksoi se materiali i fasadës ka ndikuar ndjeshëm në përhapjen e zjarrit./ET
