Politikat e Presidentit amerikan Donald Trump duhet ta shtyjnë Evropën drejt një integrimi më të thellë dhe forcimi ushtarak, deklaroi ministri polak i Drejtësisë, Waldemar Zurek.
Zurek, ish-gjyqtar, u emërua në korrik nga kryeministri pro-evropian Donald Tusk për të udhëhequr përpjekjet për rivendosjen e standardeve të shtetit ligjor, të cilat kritikët thonë se u dobësuan nën qeverinë e mëparshme nacionaliste.
Qeveria ku ai shërben është në konflikt me presidentin Karol Nawrocki, një figurë nacionaliste e mbështetur nga Trump, për çështje si emërimet në gjyqësor. Ata kanë qëndrime të kundërta edhe në çështjet e sigurisë: Tusk kërkon një rol më të fuqishëm të Bashkimit Evropian në mbrojtje, ndërsa Nawrocki thotë se kjo do të minonte rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në krahun lindor të NATO-s.
Një dokument strategjik i SHBA-ve i publikuar javën e kaluar thoshte se Uashingtoni duhet të përqendrohet në “kultivimin e rezistencës ndaj trajektores aktuale të Evropës brenda vendeve evropiane”, ndërsa kërkonte që vetë Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e saj. Udhëheqësit e BE-së reaguan pak publikisht ndaj strategjisë, të cilën disa ish-zyrtarë e përshkruan si befasuese dhe armiqësore ndaj qeverive tradicionalisht aleate me Uashingtonin.
Duke iu referuar dokumentit, Zurek tha për Reuters se Evropa duhet të përshtatet, pasi SHBA-të nën udhëheqjen e Trump janë bërë “herë pas here të paparashikueshme”.
“Ky është paradoksi: ne nuk pajtohemi me shumë deklarata të presidentit amerikan, por shohim se kjo situatë mund të na shtyjë të forcojmë aleancat evropiane dhe të themi: Evropa është e fortë”, u shpreh ai.
“Evropa është një zonë e madhe, e populluar, teknologjikisht e avancuar dhe me potencial të jashtëzakonshëm ekonomik e financiar, prandaj ndoshta ky është momenti kur duhet të rrisim unitetin evropian dhe të forcohemi ushtarakisht.”
Zurek shtoi se një BE më e fortë do të ishte partner më i mirë për SHBA-të dhe një sfidë më e madhe për Rusinë që po zhvillon luftë në Ukrainë, duke theksuar se anëtarësimi i shpejtë i Kievit në bllok është thelbësor.
“Ukraina ka ushtrinë më të fortë dhe më të trajnuar në Evropë dhe po përvetëson shpejt teknologjitë më të fundit të armëve, prandaj duhet të përfitojmë nga kjo,” tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu Hungarinë, dikur aleate të Polonisë, pasi Budapesti i dha azil politik ish-ministrit polak Marcin Romanowski, i akuzuar për abuzim me detyrën dhe keqpërdorim të fondeve publike.
Qeveria e Viktor Orbán është “më afër Moskës sesa Bashkimit Evropian,” përfundoi Zurek./mxh
