Last Updated on 09/10/2026 by EL
Një 16-vjeçar nga Kosova, me banim në Aargaut në Zvicër, është arrestuar pasi tentoi t’i largohej policisë me një skuter të vjedhur në autostradën A1. Gjatë ndjekjes, i mituri kreu disa shkelje të rregullave të trafikut, përpara se të humbiste kontrollin e mjetit dhe të rrëzohej.
Sipas policisë kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi pak para orës 21:30, kur një patrullë vuri re të riun duke përdorur telefonin celular teksa drejtonte skuterin në autostradën A1L.
Edhe pse policia i dha sinjal të ndalonte, 16-vjeçari vazhdoi lëvizjen në autostradën A1, në drejtim të Bernës. Gjatë arratisjes, ai parakaloi një autobus turistik nga ana e djathtë, duke përdorur korsinë e emergjencës.
Pak para daljes në Dietikon, i riu humbi kontrollin e skuterit dhe u rrëzua. Më pas tentoi të largohej në këmbë, por u kap nga një efektiv policie pas disa qindra metrash. Fatmirësisht, ai nuk pësoi lëndime.
Gjatë ndjekjes, 16-vjeçari kishte hedhur një qese, ku policia gjeti rreth 50 gramë hashash. Hetimet zbuluan gjithashtu se skuteri ishte i vjedhur dhe se i riu nuk kishte leje drejtimi.
Për rastin kanë nisur procedurat për veprat e dyshuara penale, ndërsa dosja i është dorëzuar prokurorisë përgjegjëse për të mitur./et
