Last Updated on 16/11/2026 by EL
10.7 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit, rikthimi i Liceut Francez të Korçës, vetëm për 5 vite e para të funksionimit të tij. Liceu funksionoi në Korçë deri në pushtimin italian në 1939-ën.
Ngritja e këtij liceu, përmes një modeli arsimor të ri në sistemin tonë publik që përfshin edhe qeverinë e Francës, do të kërkojë një ligj të veçantë.
Gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin parlamentar të Ekonomisë, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro sqaroi se kantieri është hapur, dhe këtë vit parashikohet investim 20 milionë lekë.
LEXO EDHE:
86 doktorantë fitojnë financim për studimet, 6-fishohet fondi mbështetës në 2026! Gjysma e projekteve në shkencë, teknologji dhe mjekësi
“100 milionë lekë janë planifikuar për pajisje dhe mobilim. 20 milionë lekë për këtë vit sepse sapo është hapur kantieri dhe 80 milionë për vitin tjetër. Aktualisht që flasim ka nisur investim nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për kampusin e ri të liceut francez duke ruajtur edhe godinën historike të liceut francez aty ku ka qenë”, tha Kumbaro.
Mësimi në Liceun Francez në Korçë do të zhvillohet në tri gjuhë: shqip, frëngjisht dhe anglisht. Për nxënësit shqiptarë është falas, ndërsa për të huajt, do të ketë tarifë. Në 3 vite gjimnazi, nga liceu do të dilet me dy diploma, atë të maturës shtetërore shqiptare dhe një franceze, që njihet në të gjithë Europën.
“Modeli ka dy kurrikula, në vend të një kurrikule të vetme që zbatojmë sot në shkollat tona të mesme. Ka mësues të huaj dhe mësues shqiptarë. Do të ketë laborator shkencor dhe pajisje dhe një për përpjekje për t’u pozicionuar në nivelin e shkollave europiane me orientim shkencor dhe teknologjik. Një të tillë nuk e kemi sot në shkollat e mesme publike”, tha Kumbaro.
Kostoja e shtetit për çdo nxënës parashikohet rreth 890 mijë lekë, kundrejt 180 mijë lekë që shpenzohen aktualisht në gjimnazet publike. Pra, afro 4.9 herë më shumë.
“Një sistem arsimor me dy standarde. Nga njëra anë do të kemi një institucion me standarde, pajisje dhe mundësi të veçanta dhe nga ana tjetër gjimnazet ekzistuese do të vazhdojnë të përballen me problematikat e tyre infrastrukturore dhe pedagogjike”, u shpreh deputetja demokrate Ledina Alolli.
Drejtori i Liceut do të jetë francez, i propozuar nga Ministria franceze e Arsimit, dhe është shteti francez që financon pagën e tij, për një afat 5-vjeçar. Ai është përfaqësuesi ligjor i institucionit për çështjet e mësimdhënies dhe ato protokollare. Ndërsa zv/drejtori propozohet nga ministria jonë dhe plotëson kriteret e kualifikimit sipas legjislacionit shqiptar të arsimit parauniversitar
Liceu Francez i Korçës do të funksionojë në një nga godinat e Universitetit të Korçës, ku ka qenë administrata e ish-Liceut, ndërsa universitetit do t’i vihen në përdorim ambientet e ish-Gjykatës së Apelit, që s’janë më funksionale.
“Me Ministrinë e Drejtësisë kemi një marrëveshje për të marrë në administrim ambientet e ish-Gjykatës së Apelit, që nuk përdoren aktualisht dhe do t’i vihen në dispozicion Universitetit të Korçës”, tha ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro.
Liceu i orientuar në shkencë dhe inovacion parashikohet të nisë me 120 nxënës në vitin e parë, për të arritur në 360 nxënës në vitin e pestë.
Liceu do të ketë edhe konvikt dhe mensë, kostot e të cilave do të mbulohen nga pushteti vendor./ET
