Last Updated on 02/03/2025 by adminfjala
Mbi 100 subjekte shqiptare lider të investimeve në shumë fusha janë bërë bashkë në Panairin e Punës në Athinë me ftesën “Puno dhe jeto aty ku ke zemrën”.
Ky event synon të lidhë profesionistët dhe të rinjtë emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi me mundësi punësimi në tregun shqiptar të punës.
Subjektet që marrin pjesë janë agjenci punësimi, ente, dhoma biznesi, inovatorë, sipërmarrës, promotorë, korporata, agjenci e institucione publike shqiptare.
Kryeministri Edi Rama u bë pjesë e panairit, të cilin e vizitoi pothuajse në të gjitha stendat, ku u takua dhe bisedoi me përfaqësues të kompanive, si dhe u interesua për mundësitë konkrete, lidhur me pagat e ofruara, vendet e lira të punës dhe perspektiven që sipërmarrjet parashikonin në të ardhmen.
Sipas sipërmarrësve pjesëmarrës, pagat që ata ofrojnë janë edhe më konkurruese se në Greqi, ndaj thirrja e Ramës për shqiptarët që jetojnë në këtë shtet është të kthehen në atdhe.
Panairi i Punës do të qëndrojë i çelur përgjatë gjithë ditës dhe është organizuar në panele, dedikuar fushave të ndryshme që do të drejtohen nga ministrat përkatës për çdo sektor./ S,M