Shtetet e Bashkuara po përjetojnë një stuhi dimërore të përmasave të jashtëzakonshme, e cila po përhapet nga Malet Shkëmbore dhe jugperëndimi i vendit deri në bregun lindor, duke krijuar kushte ekstreme moti për dhjetëra shtete dhe duke vënë në rrezik jetën e rreth 140 milion njerëzve.
Reshje të dendura bore, shi i ngrirë, akull dhe temperatura shumë të ulëta kanë përfshirë një territor të gjerë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë rrezik serioz për hipotermi dhe ngrirje të lëkurës.
Në disa zona të Minnesota-s dhe Dakotës së Veriut, temperaturat pritet të zbresin deri në -46°C, çka mund të shkaktojë dëmtime të rënda shëndetësore brenda pak minutash.
Si pasojë e kushteve të rënda të motit, më shumë se 40% e popullsisë amerikane ndodhet në panik, ndërsa mbi 8 mijë fluturime janë anuluar, duke shkaktuar kaos në transport dhe ndërprerje të shumta të udhëtimeve.
Shumë zona po përballen gjithashtu me rrezik të madh për ndërprerje të energjisë elektrike dhe dëmtime të infrastrukturës.
Në këtë situatë emergjente, presidenti Donald Trump ka miratuar shpalljen e gjendjes së emergjencës në disa shtete, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal.
“Qëndroni të sigurt dhe ngrohtë”, shkroi ai në një mesazh publik./K.M