Siguracioni i detyrueshëm i automjeteve do të vijojë të ofrojë mbulim edhe për 15 ditë pas përfundimit të afatit të policës, por kjo periudhë shtesë nuk do të jetë pa kosto për drejtuesit e mjeteve. Projektligji i ri i propozuar nga qeveria parashikon dy raste kur qytetarët mund të përballen me detyrime financiare: nëse shkaktojnë një aksident gjatë këtyre ditëve ose nëse vendosin të kalojnë te një kompani tjetër sigurimi.
Ky parashikim është pjesë e projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual dhe të përafrojë legjislacionin shqiptar me direktivat e Bashkimit Evropian.
Sipas nenit 8 të projektligjit, të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga kontrata e sigurimit do të zgjaten automatikisht për 15 ditë pas skadimit të policës. Ky afat shtesë do të zbatohet në rastet kur klienti nuk e ka njoftuar kompaninë e sigurimit, të paktën tri ditë përpara përfundimit të kontratës, se nuk dëshiron rinovimin e saj.
Për shembull, nëse siguracioni i një automjeti përfundon më 30 nëntor, drejtuesi mund të vijojë të ketë mbulim sigurimi deri më 15 dhjetor, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në projektligj.
Megjithatë, periudha 15-ditore shoqërohet me pasoja të ndryshme financiare, në varësi të situatës në të cilën ndodhet drejtuesi i automjetit.
Nëse shkakton aksident, paguan siguracionin e plotë për vitin pasardhës
Pika 10 e nenit 8 përcakton se nëse i siguruari shkakton një aksident gjatë 15 ditëve pas skadimit të policës, ai detyrohet të paguajë të gjithë primin e sigurimit për vitin pasardhës.
Kjo do të thotë se drejtuesi nuk do të paguajë vetëm për ditët gjatë të cilave ka përfituar mbulim pas përfundimit të kontratës, por do të ketë detyrimin të shlyejë të gjithë vlerën e siguracionit vjetor për periudhën e ardhshme.
Për shembull, nëse polica e një automjeti përfundon më 30 nëntor dhe drejtuesi shkakton një aksident më 5 dhjetor, ai do të duhet të paguajë primin e plotë të sigurimit për vitin pasardhës. Nëse siguracioni vjetor kushton 20 mijë lekë, kjo do të jetë shuma që duhet të paguajë, sipas tarifës së zbatueshme.
Nëse ndryshon kompaninë, paguan vetëm ditët e mbulimit nga siguruesi i mëparshëm
Një tjetër situatë parashikohet në pikën 11 të nenit 8 dhe lidhet me drejtuesit që vendosin të mos rinovojnë siguracionin te e njëjta kompani, por të lidhin kontratë me një shoqëri tjetër gjatë periudhës 15-ditore.
Në këtë rast, kompania e mëparshme ka të drejtë t’i kërkojë klientit pagesën për ditët gjatë të cilave ka vazhduar t’i ofrojë mbulim sigurimi.
Për shembull, nëse polica përfundon më 30 nëntor dhe drejtuesi lidh një kontratë të re me një kompani tjetër më 7 dhjetor, siguruesi i mëparshëm mund t’i kërkojë pagesën për periudhën 1–6 dhjetor.
Ndryshe nga rasti i aksidentit, këtu nuk bëhet fjalë për pagesën e një siguracioni të plotë vjetor, por vetëm për vlerën që përkon me ditët gjatë të cilave kompania e mëparshme ka mbajtur në fuqi mbulimin e automjetit. Kjo vlen në rastin kur nuk ka ndodhur një ngjarje sigurimi që aktivizon detyrimin për pagesën e primit të vitit pasardhës.
Pra, projektligji bën një dallim të qartë mes dy situatave: nëse drejtuesi shkakton aksident gjatë periudhës shtesë, detyrohet të paguajë primin e plotë vjetor për vitin pasardhës, ndërsa nëse thjesht ndryshon kompaninë e sigurimit, duhet të paguajë vetëm për ditët e mbulimit nga siguruesi i mëparshëm.
Përmes këtij mekanizmi, synohet të shmangen rastet kur automjetet mbeten pa mbulim sigurimi për shkak të vonesave në rinovimin e policës. Nga ana tjetër, kompanive u garantohet e drejta për të kërkuar pagesën për periudhën gjatë së cilës kanë vijuar të mbulojnë rrezikun.
Një tjetër detyrim i parashikuar në nenin 8 lidhet me kompanitë e sigurimit. Kur konstatojnë se mbulimi i një automjeti ka përfunduar, ato duhet të njoftojnë brenda 15 ditëve organet përgjegjëse për regjistrimin e mjeteve, kontrollin e trafikut rrugor, si dhe Qendrën e Informacionit.
Këto ndryshime janë pjesë e reformës së sigurimit të detyrueshëm motorik, e cila synon përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e tij me standardet e Bashkimit Evropian./Skyweb.al -ad
