Gjatë 24 orëve të fundit, SHBA ka ndërmarrë një tjetër valë sulmesh ajrore ndaj Iranit ndërsa Teherani është kundërpërgjigjur me sulme raketore ndaj objektivave amerikane në rajon dhe me masa të reja që kanë ndikuar transportin detar ndërkombëtar në Ngushticën strategjike të Hormuzit.
Një ushtarak amerikan u vra në Irak, duke e çuar në 17 numrin e ushtarakëve amerikanë të vrarë në luftën me Iranin.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM), përgjegjëse për operacionet në Lindjen e Mesme, njoftoi se kishte përfunduar një tjetër seri sulmesh ajrore ndaj objektivave në Iran. Sipas njoftimeve zyrtare, operacionet kanë goditur qendra komandimi ushtarake, sisteme të mbrojtjes ajrore, instalime të mbikëqyrjes bregdetare, si dhe infrastrukturë të lidhur me raketat dhe dronët.
Ushtria amerikane deklaroi se objektivi i këtyre operacioneve është dobësimi i aftësive operacionale të Teheranit dhe reduktimi i kërcënimit ndaj anijeve dhe ekuipazheve tregtare në rajon
Nga ana tjetër, Teherani reagoi menjëherë pas sulmeve amerikane. Garda Revolucionare iraniane njoftoi se kishte kryer sulme ndaj objektivave ushtarake amerikane në rajon, duke përdorur raketa balistike. Sipas autoriteteve iraniane, sulmet shkaktuan dëme në disa pajisje dhe sisteme ushtarake amerikane, ndërsa Uashingtoni ende nuk ka dhënë një vlerësim të plotë për pasojat.
Në të njëjtën kohë, tensionet u zhvendosën edhe në frontin detar. Irani njoftoi se kishte ndaluar dy cisterna nafte në Ngushticën e Hormuzit, duke pretenduar se ato kishin shkelur rregullat e kalimit dhe nuk kishin autorizimin e nevojshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të vijojnë operacionet ushtarake kundër Iranit. Duke folur për gazetarët në Uashington, Trump tha se sulmet janë kryer edhe në përgjigje të vdekjes së ushtarëve amerikanë në rajon.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë atë që është e nevojshme”, u shpreh presidenti amerikan, duke theksuar se objektivi është dobësimi i kapaciteteve ushtarake iraniane.
Sakaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kërkoi një reagim më të madh nga aleatët ndërkombëtarë ndaj veprimeve të Iranit në Ngushticën e Hormuzit./kb
