Sot, më 25 qershor 2026, shënohen 17 vite nga ndarja nga jeta e legjendës së muzikës Pop, Michael Jackson.
Edhe pas kaq vitesh, emri i tij vazhdon të mbetet sinonim i talentit, inovacionit dhe spektaklit. Këngëtari amerikan konsiderohet ende një nga artistët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, jo vetëm për zërin e tij unik, por edhe për mënyrën se si ndryshoi historinë e performancës skenike dhe kërcimit.
Michael Jackson mbetet një fenomen global. Pavarësisht polemikave dhe skandaleve që e shoqëruan gjatë karrierës, ndikimi i tij në muzikë nuk është zbehur. Këngët, albumet dhe performancat e tij vazhdojnë të dëgjohen nga miliona fansa në mbarë botën.
Interesi për figurën e tij është rikthyer fuqishëm edhe përmes filmit biografik “Michael”, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe dhe ka nxitur diskutime të shumta. Filmi, i shoqëruar edhe me polemika, ka ndikuar në rritjen e interesit për muzikën e Jackson.
Të dhënat e fundit tregojnë se muzika e tij vazhdon të gjenerojë shifra të mëdha. Në vitin 2026, Michael Jackson ka shënuar miliona dëgjime dhe shitje albumesh, duke dëshmuar se trashëgimia e tij artistike mbetet e gjallë edhe pas vdekjes.
Por pas suksesit dhe famës botërore fshihet edhe një fund tragjik. Më 25 qershor 2009, Michael Jackson u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij në Los Angeles, ndërsa përpjekjet për ta shpëtuar rezultuan të pasuksesshme. Ai u nda nga jeta në moshën 50-vjeçare.
Hetimet përcaktuan se vdekja e tij lidhej me një intoksikim akut nga propofoli, një medikament që i ishte administruar nga mjeku i tij personal, Conrad Murray. Ky i fundit u shpall fajtor për vrasje të pavullnetshme dhe u dënua me burg.
Në momentin e vdekjes, Jackson po përgatitej për rikthimin e tij të madh në skenë me serinë e koncerteve “This Is It”, të planifikuara të zhvilloheshin në Londër.
17 vite më pas, Michael Jackson mbetet një nga emrat më të mëdhenj të historisë së muzikës. Mbreti i Popit vazhdon të jetojë përmes këngëve, kërcimeve dhe ndikimit që la pas në kulturën botërore./ad
