Last Updated on 19/11/2026 by EL
Shumë njerëz që gëzojnë shëndet të mirë mund të kenë mungesë hekuri pa e ditur. Edhe pse bëhet fjalë për mangësinë ushqyese më të përhapur në botë, që prek mbi një miliard njerëz, mungesa e hekurit shpesh nuk diagnostikohet në kohë, pasi simptomat mund të jenë të paqarta ose të mos shfaqen fare.
Hekuri, që gjendet në mishin e kuq, fasule, fruta të thata dhe ushqime të tjera, është një mineral thelbësor për funksionimin e organizmit. Ai ndihmon në prodhimin e hemoglobinës, proteinës që gjendet në rruazat e kuqe të gjakut dhe transporton oksigjenin, si dhe të mioglobinës, e cila furnizon muskujt me oksigjen. Hekuri është gjithashtu i domosdoshëm për prodhimin e energjisë, funksionimin e sistemit imunitar, rritjen dhe zhvillimin e trurit.
Kur organizmi nuk merr ose nuk përthith sasinë e nevojshme të hekurit, mund të shfaqen lodhje dhe vështirësi në përqendrim, por në disa raste mungesa nuk shoqërohet me simptoma të dukshme. Me pakësimin gradual të rezervave të hekurit, kjo gjendje mund të përparojë në anemi nga mungesa e hekurit, duke vështirësuar transportimin e oksigjenit në trup dhe duke shkaktuar komplikacione serioze. “Njerëzit rrallë vdesin nga mungesa e hekurit, por ndikimi i saj në nivel global është shumë i madh. Nëse nuk ke mjaftueshëm hekur, nuk ke as energji të mjaftueshme”, tha për Euronews Hal Drakesmith, profesor i biologjisë së hekurit në Universitetin e Oksfordit.
Disa kategori janë më të rrezikuara nga kjo mangësi, veçanërisht vajzat në adoleshencë dhe gratë që kanë menstruacione të bollshme. Gratë shtatzëna, fetuset, foshnjat dhe fëmijët kanë nevojë për sasi më të mëdha hekuri për rritjen dhe zhvillimin, nevoja që jo gjithmonë mund të plotësohen vetëm përmes ushqimit. Edhe të moshuarit mund të zhvillojnë mungesë hekuri për shkak të gjakderdhjeve në zorrë ose problemeve shëndetësore kronike. Një studim i vitit 2022 tregoi se kjo mangësi është relativisht e përhapur edhe te të moshuarit që konsiderohen të shëndetshëm në Europë. Rreziku më i lartë u evidentua te personat mbi 80 vjeç në Austri dhe Portugali.
Një tjetër faktor ndikues është ushqyerja me pak mish të kuq ose produkte të tjera të pasura me hekur. Në rrezik janë edhe personat që dhurojnë gjak shpesh, megjithëse zakonisht u kryhen kontrolle përpara dhurimit. “Është jashtëzakonisht e përhapur”, theksoi Drakesmith.
Pavarësisht përhapjes së madhe, shumë persona nuk diagnostikohen menjëherë. Sipas Drakesmith, simptomat janë të përgjithshme dhe nuk lidhen domosdoshmërisht vetëm me mungesën e hekurit. Për më tepër, kjo gjendje zhvillohet gradualisht, pasi organizmi nuk i humbet të gjitha rezervat e hekurit menjëherë.
Kohët e fundit, hekuri dhe ferritina, proteina që shërben për depozitimin e tij në organizëm, janë kthyer në tema të diskutuara gjerësisht edhe në rrjetet sociale. Një pretendim viral lidhet me të ashtuquajturën “fytyra e ferritinës”, ku mungesa e hekurit shfaqet përmes shenjave të dukshme si zbehja e lëkurës dhe rrallimi i flokëve. Megjithatë, Drakesmith e konsideron këtë koncept jo të dobishëm nga pikëpamja klinike. Sipas tij, nëse kjo prirje ndihmon në rritjen e ndërgjegjësimit dhe nxit personat me simptoma të kryejnë analiza, atëherë mund të ketë një ndikim pozitiv.
Kontrollet rutinë për mungesën e hekurit janë të rralla, edhe te grupet me rrezik më të lartë, thotë Elaine McCarthy, pedagoge e lartë në fushën e të ushqyerit në University College Cork në Irlandë. Për shembull, gjatë shtatzënisë analizat e gjakut janë standarde, por zakonisht matin nivelin e hemoglobinës. “Ky është një problem, sepse hemoglobina është një tregues që ndryshon në fazë shumë të vonë të çrregullimeve të nivelit të hekurit. Kjo do të thotë se nuk arrijmë të identifikojmë personat në fazat e para të mungesës dhe humbasim mundësinë për të parandaluar përkeqësimin e saj”, tha McCarthy për Euronews. Ajo rekomandon matjen e hemoglobinës dhe ferritinës, pasi kjo e fundit shërben si tregues i ndryshimeve më të hershme në rezervat e hekurit.
Në shtator, Shoqata Amerikane e Hematologjisë (ASH) publikoi udhëzime të reja klinike për diagnostikimin e mungesës së hekurit. Sipas tyre, të rriturit, gratë shtatzëna dhe personat që kanë menstruacione mund të diagnostikohen me mungesë hekuri kur niveli i ferritinës në serum është 30 mikrogramë për litër ose më i ulët, në vend të kufirit të mëparshëm prej 15 mikrogramësh. Ky prag është në përputhje me rekomandimet e Organizatës Europiane për Sëmundjet e Crohn-it dhe Kolitin.
Megjithatë, përcaktimi i kufirit të saktë të ferritinës nuk është ende i njëjtë në të gjitha vendet. Sipas Drakesmith, zgjedhja e këtij pragu ndikon drejtpërdrejt në numrin e personave që klasifikohen me mungesë hekuri. Ai vlerëson se udhëzimet e reja synojnë të shmangin rastet e padiagnostikuara, por paralajmëron se një prag më i lartë mund të përfshijë edhe persona që nuk kanë një mungesë të theksuar.
Nga ana tjetër, mbështetja vetëm te niveli i ferritinës nuk mjafton për të identifikuar të gjitha rastet. Personat me sëmundje inflamatore, siç është sëmundja kronike e veshkave, mund të kenë nivele normale ose edhe të larta të ferritinës, pavarësisht se organizmi ka mungesë hekuri. Kjo ndodh sepse inflamacioni mund të rrisë nivelin e ferritinës edhe kur rezervat e hekurit janë të ulëta. Sipas rekomandimeve europiane, personat me sëmundje inflamatore mund të kenë ferritinë deri në 100 mikrogramë për litër dhe përsëri të vuajnë nga mungesa e hekurit.
Mungesa e hekurit mund të trajtohet shpesh përmes suplementeve, por është e rëndësishme që fillimisht të identifikohet dhe të trajtohet shkaku që e ka shkaktuar. Megjithatë, suplementet mund të sjellin efekte anësore, si kapsllëk dhe dhimbje stomaku, duke bërë që disa persona të mos e vazhdojnë trajtimin. Edhe marrja e tepërt e hekurit përbën rrezik. Dozat shumë të larta mund të jenë edhe fatale, veçanërisht për fëmijët. “Nuk duhet të merrni suplemente hekuri nëse nuk jeni diagnostikuar me mungesë hekuri ose anemi nga mungesa e hekurit. Suplementet me doza të larta mund të jenë të rrezikshme nëse organizmi juaj nuk ka nevojë për hekur shtesë”, paralajmëroi McCarthy.
