Last Updated on 02/10/2025 by adminfjala
Nga Leonard Veizi
Shtatori i vitit 1928 ngjante i zakonshëm, por për Aleksander Fleming, agimi i Londrës mbante në vetvete një sekret të fshehur. Mjegulla e bardhë endej mbi tullat e lagura, duke i dhënë qytetit një petk fantazmash. Fleming, mjek dhe biolog skocez, hapi dyert e laboratorit të tij në katin e poshtëm të spitalit “St. Mary’s”. Ajri i rëndë, i mbushur me aromën e kimikateve, duket sikur prishej nga prania e tij: një sy kërkues dhe i etur për zbulim.
Menjëherë sytë i ranë mbi pjatalarët e qelqta. Kolonitë e baktereve stafilokoke që kishte lënë të kultivoheshin dukeshin të zakonshme – por një detaj tërhoqi vëmendjen e tij.
Aksidenti laboratorik
Një njollë e bardhë myku, e vetme në mesin e qyteteve mikroskopike të baktereve, kishte krijuar rreth vetes një hapësirë të zbrazët, të pastër. Një vakuum i çuditshëm ku bakteret ishin zhdukur, si të ishin shkrirë në ajër.
Fleming ndjeu një dridhje të fshehtë. Një çast i tillë – një aksident i thjeshtë i laboratorit – dukej se po shndërrohej në mrekulli. Në atë kohë, bota trembej nga çdo prerje e vogël; një infeksion mund të ishte dënim me vdekje. Dhe tani, para tij, qëndronte një shpresë e gjallë.
Ai studioi me kujdes mykun dhe e identifikoi si Penicillium notatum. Ishte e thjeshtë, pothuaj e parëndësishme për syrin e paditur, por prodhonte një substancë që shkatërronte bakteret. Një “helm për mikrobet” që mund të fitonte beteja ku shpresa e njerëzimit ishte thuajse zero: pneumonia, meningjiti, sifilizi, gonorrea – të gjitha sëmundje që shtrinin dorën e tyre të ftohtë mbi jetën e njerëzve.
Thesari i fshehur
Por zbulimi nuk ishte fundi. Për Flemingun, penicilina ishte një lëng i papërpunuar, i paqëndrueshëm dhe i ndjeshëm ndaj çdo prekjeje të gabuar. Në laboratorin e tij modest, pa pajisjet kimike dhe ekspertizën përkatëse, ajo nuk mund të bëhej ilaç i përdorshëm. Ai e quajti penicilinën një “anti-septik lokal” – mrekullisht i fuqishëm në petat laboratorike, por i pafuqishëm të shpëtonte jetë në botën reale.
Shumë vite kaluan. Thesari i madh shkencor që Fleming kishte zbuluar mbeti i fshehur, duke pritur dikë tjetër me vizion dhe këmbëngulje për ta ringjallur. Dhe kur dikush tjetër do ta bënte, penicilina do të kthehej në një revolucion që do të shpëtonte miliona jetë dhe do të shkruante një kapitull të ri në historinë e mjekësisë.
