Fridrih Niçe vdiq më 25 gusht 1900
Nga Leonard Veizi
Më 15 tetor 1844, në fshatin Röcken të Prusisë, lindi Fridrih Niçe – djali i një pastori luteran që do të bëhej antiteza më e fuqishme e krishterimit modern në filozofi. Paradoksi e ndjek që në fillim. I destinuar të bëhej pastor, ai u bë profeti i dyshimit. I rritur me Biblën, ai do të shkruante: “Perëndia ka vdekur. Dhe ne e kemi vrarë.”
Nga filologu te filozofi
Niçe nuk ishte filozof në kuptimin klasik të katedrës. Ishte filolog. I shkëlqyer aq sa në moshën 24-vjeçare, pa doktoraturë ende, u emërua profesor i filologjisë klasike në Universitetin e Bazelit. Një rekord që ende sot mbetet i jashtëzakonshëm.
Por filologjia i ngushtë e mbyti. Ai nuk donte të komentonte tekstet e lashta, donte të mendonte si grekët. Në veprën e parë, Lindja e Tragjedisë (1872), u përplas me kolegët: filozofia për të nuk ishte analizë e ftohtë, por art, muzikë, instinkt dionisiak kundër racionalizmit apolonian. Ky konflikt do ta detyronte të jepte dorëheqjen nga Bazeli dhe të hynte në dekadën e vetmisë së tij të madhe.
Dhjetë vitet në vijim – mes shëtitjeve në Alpet e Zvicrës dhe dimrave në Xhenova dhe Torino – ai prodhoi me një ritëm maniakal veprat që tronditën Perëndimin: “Njerëzorja, tepër njerëzore”, “Agimi”, “Shkenca e Gëzuar”, “Kështu foli Zarathustra”, “Përtej të Mirës dhe të Keqes”, “Gjenealogjia e Moralit”.
Tri idetë që tronditën botën
Filozofia e Niçes mund të përmblidhet në tre goditje:
1-“Perëndia ka vdekur”. Nuk është ateizëm triumfalist, por një diagnozë. Niçe thotë: Evropa ka vrarë në praktikë Zotin e saj moral, por vazhdon të jetojë sikur asgjë nuk ka ndodhur. Kemi rrëzuar themelet dhe habitemi pse shtëpia po shembet. Pyetja e tij nuk është nëse Zoti ekziston, por çfarë do të vendosim në vend të tij.
2-Vullneti për pushtet. Jo dëshira për të sunduar të tjerët, siç u keqkuptua më vonë, por shtysa e brendshme e çdo gjëje të gjallë për t’u tejkaluar, për t’u rritur, për të krijuar formë. Edhe arti është vullnet për pushtet.
3-Mbinjeriu dhe kthimi i përjetshëm. Mbinjeriu, apo sië njihet në orgjinal Übermensch, nuk është super-njeri biologjik, arian apo tiran. Është njeriu që arrin të krijojë vetë vlerat e tij, përtej moralit të tufës, moralit të resantimentit që Niçe e quante “moral i skllevërve”. Dhe testi final i tij është: A do të kishe guximin të jetoje jetën tënde, pikërisht ashtu siç është, për një pafundësi herësh? Nëse jo, nuk je i lirë.
Fundi në Torino
Jeta e tij nuk e ndoqi dot filozofinë e forcës që predikonte. Shëndeti i dobët, migrena kronike, izolimi dhe indiferenca e publikut e gërryen. Më 3 janar 1889, në Piazza Carlo Alberto në Torino, pa një karrocier që rrihte një kalë. Sipas dëshmisë, iu hodh në qafë kafshës duke qarë dhe u rrëzua. Ishte kolapsi mendor përfundimtar.
11 vitet e fundit i kaloi në errësirë mendore, fillimisht nën kujdesin e nënës dhe më pas të motrës, Elizabet Fërster-Niçe.. Kjo e fundit do të bëjë dëmin më të madh: do të censurojë, presë dhe montojë shënimet e tij për të krijuar veprën e rreme Vullneti për Pushtet, duke e përshtatur për antisemitët dhe nacionalistët gjermanë që vetë Niçe i përbuzte hapur. Ai vdiq më 25 gusht 1900 në Vajmar.
Nga ajo manipulim lindi keqkuptimi më tragjik: nazizmi e përdori Niçen si pararendës. Në të vërtetë, Niçe kishte shkëputur marrëdhëniet me motrën pikërisht për shkak të martesës së saj me një agjitator antisemit. Ai e quante nacionalizmin gjerman “neurozë” dhe antisemitizmin “llojin më të ulët të mediokritetit”.
Pse na duhet ende sot
Niçe mbetet i rrezikshëm sepse nuk të lë të qetë. Në vend të të ofrojë ngushëllimin ai të ofron një çekiç. Dhe na detyron të pyesim: Nëse nuk ka më vlera të gatshme nga lart, a ke forcë të ndërtosh vetë? Nëse jeta nuk ka kuptim të dhënë, a ke guxim t’i japësh vetë kuptim?
Prandaj ai nuk ishte një njeri që prodhonte tragjedi. Sepse tragjedi është kur bota prodhon një mendje si të tijën dhe nuk di çfarë të bëjë me të, veçse ta keqlexojë.
