Në nëntor 1943, në kulmin e Luftës së Dytë Botërore në Paqësor, forcat amerikane nisën një ofensivë vendimtare për të thyer mbrojtjen japoneze në arkipelagun Gilbert. Një nga ngjarjet më tragjike të kësaj beteje ndodhi më 24 nëntor, kur aeroplan-mbajtësja amerikane USS Liscome Bay u bë shënjestër e një siluri japonez në ujërat e Gjirit të Taraua-s.
Nëndetësja japoneze I-175 lëshoi një silur që goditi direkt anijen amerikane. Goditja shkaktoi një shpërthim të fuqishëm në magazinën e municioneve, duke e çuar aeroplan-mbajtësen në fund të detit vetëm pak minuta më vonë. Nga më shumë se 900 njerëz në bord, rreth 650 oficerë dhe marinarë të Marinës së SHBA humbën jetën – një nga humbjet më të mëdha të një aeroplan-mbajtëseje amerikane gjatë luftës.
Ndërsa deti ende përpinte mbetjet e Liscome Bay, beteja në breg Vazhdonte me intensitet të egër. Disa orë pas mbytjes së anijes, marinsat amerikanë arritën të pushtonin me sukses bregdetin e Taraua-s, një nga pikat më të fortifikuara të ushtrisë japoneze në Paqësor. Ishulli ishte kthyer në një labirint bunkerësh, pozicionesh betoni dhe mbrojtjesh të rënda që japonezët e konsideronin të papërshkueshme.
Por pas luftimeve të ashpra trup më trup, mbrojtja japoneze u thye. Luftimet ishin aq të përgjakshme sa që një marins amerikan tha: “Këtu çdo metër u fitua me gjak.” Në këtë betejë, rreth 1000 amerikanë dhe japonezë u vranë brenda pak ditësh, duke e bërë Taraua-n një nga përleshjet më brutale të luftës amfibe në Paqësor.
Mbytja e USS Liscome Bay dhe fitorja në Taraua mbetën dy ngjarje të pandara të asaj dite tragjike dhe vendimtare: një humbje e rëndë njerëzore e ndërthurur me një fitore strategjike që hapi rrugën e avancimit amerikan drejt Japonisë. Taraua u bë një kujtesë e hidhur e çmimit të lartë të luftës dhe e vendosmërisë për të fituar një betejë që ndryshoi ritmin e fushatës në Paqësor.
Përgatiti: L.Veizi
