Last Updated on 09/05/2026 by Anisa
Ministrja e Administratës Publike dhe Antikorrupsionit, Adea Pirdeni, ka përjetuar një nga momentet më të rëndësishme të jetës së saj personale, duke u bërë nënë për herë të parë.
Ajo ka sjellë në jetë një djalë, një lajm që ka sjellë gëzim jo vetëm në familjen e saj, por edhe në radhët e kolegëve institucionalë. Në Kuvend, deputetë dhe bashkëpunëtorë e kanë uruar me mesazhe të shumta dhe lule, duke ndarë me të këtë moment të veçantë.
Pirdeni është një nga figurat aktive të kabinetit qeveritar, e angazhuar kryesisht në çështje që lidhen me integrimin europian dhe forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit.
Profili i Adea Pirdenit
E lindur në Tiranë më 1 tetor 1983, Adea Pirdeni ka një formim të thellë akademik në fushën e drejtësisë. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, ku ka marrë edhe diplomën Master në të Drejtë Publike.
Në vitin 2014 është vlerësuar me titullin Magister Juris (MJur) në Universitetin e Oksfordit me rezultate të shkëlqyera, ndërsa në vitin 2016 ka përfunduar doktoraturën në Shkencat Juridike në Universitetin e Tiranës.
Gjatë karrierës së saj akademike, ajo ka marrë pjesë në programe studimore dhe shkëmbimi në Universitetin Humboldt të Berlinit dhe në Universitetin e Kansasit në SHBA.
Që prej vitit 2008, Pirdeni ushtron detyrën e lektoreve në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, duke dhënë kontribut në lëndët e të Drejtës Kushtetuese, Administrative dhe të Bashkimit Europian. Fushat e saj të kërkimit përfshijnë mirëqeverisjen, të drejtat e njeriut, integrimin europian dhe reformën në drejtësi.
Prej shtatorit 2020, ajo ka mbajtur postin e Zëvendësministres së Drejtësisë, me fokus në proceset e integrimit europian, antikorrupsionin dhe zhvillimin e kuadrit strategjik të sistemit të drejtësisë./A.D
