Last Updated on 28/04/2026 by Anisa
Roven Zeka u shpall i pafajshëm dhe u lirua nga “arresti në shtëpi”, ndërsa Edison Tabaku dhe Sokol Novaku u dënuan me nga 2 vite burg për ryshfet lidhur me 2 mijë eurot e marra për të mos arrestuar një grua pas një aksidenti.
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm ish-shefin e Policisë Rrugore të Tiranës Roven Zeka i akuzuar për ryshfet pasiv së bashku me 2 vartësit e tij, për marrjen e 2 mijë eurove për të mos arrestuar gruan e një biznesmeni, e cila kishte bërë një aksident më 16 prill 2025. Rrjedhimisht Zeka lirohet dhe nga masa e sigurisë ‘arrest shtëpie’.
GJKKO ka dënuar për të njëjtën ngjarje oficerin Edison Tabaku dhe Oficerin e Policisë Gjyqësore Sokol Novakun me 3 vite burg. Nga gjykimi i shkurtuar ata kanë përfituar ulje dënimi deri në 2 vite ndërsa gjykata e ka pezulluar duke i lënë në shërbim prove.
Biznesmeni Ergest Vironi, bashkëshorti i gruas që shkaktoi aksidentin, është dënuar me 1 vit e 6 muaj burg, dënim që i është ulur në 1 vit si rrjedhojë e gjykimit të shkurtuar. GJKKO e ka konvertuar dënimin në shërbim prove për 2 vite.
GJKKO ka dënuar Bledi Belbën me 1 vit e 6 muaj burg, dënim i cili i është pezulluar dhe i është konvertuar në shërbim prove. Belba akuzohet për veprën penale Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”. Bledi Belba ka ndërhyrë tek Roven Zeka dhe e ka ndihmuar Ergestin me shumën prej 1000 eurosh, për t’ia kaluar të pandehurve, me qëllimin për të mos arrestuar bashkëshorten e tij.
Tre efektivët u arrestuan më 19 prill me urdhër të SPAK, me akuzën se kishin kërkuar dhe marrë 2 mijë euro nga nga biznesmeni Erges Vrioni për të mos i arrestuar bashkëshorten që ishte përfshirë në aksidentin e ndodhur më 16 prill dhe që çështja e saj të mos referohej në Prokurori.
Sipas dosjes hetimore, duke qenë se Tabaku e njihte Erges Vrionin, bashkëshortin e gruas që bëri aksidentin, i ka kërkuar shuma monetare për të mos e arrestuar Anisa Vrionin. Një mijë euro i janë dhënë punonjësit të policisë Edison Tabaku, pranë banesës së tij. Vetë Tabaku e ka takuar sërish Erges Vrionin në një lokal pranë komisariatit të policisë rrugore dhe i ka kërkuar edhe një mijë euro të tjera, pasi i thotë “kam persona të tjerë mbi kokë”.
Nga verifikimi që i është bërë telefonit të Tabakut rezulton se ai ka komunikime me shefat e tij, Roven Zeka dhe Sokol Novaku (shef i sektorit të aksidenteve), ku i thotë se 1000 eurot e tjera do t’i siguronte më vonë nga Vrioni, të cilin e kishte shok, duke i lënë afat deri të nesërmen.
