20 mijë shishe qelqi bosh për bebe janë vendosur në një hapësirë ekspozimi në Doha të Katarit, në një instalacion artistik që përcjell pasojat e luftërave mbi fëmijët, nga uria dhe zhvendosja me forcë, deri te mungesa e arsimit dhe kujdesit shëndetësor.
Ekspozita titullohet “Unfinished Beginnings” (Fillime të papërfunduara) dhe është krijuar nga artisti Bachir Mohamad. Ajo prezantohet në Bin Jelmood House, pjesë e muzeve Msheireb në Doha.
Shishet bosh simbolizojnë nevojat e paplotësuara të miliona fëmijëve që mbijetojnë në zonat e konfliktit. Sipas artistit, ato duhet të mbushen me dashuri, ushqim, arsim, kujdes shëndetësor dhe gjithçka që i nevojitet një fëmije për t’u rritur.
Ekspozita vjen pas instalacionit të vitit 2024, “Echo of Lost Innocence”, përmes të cilit Mohamad trajtoi fëmijët e vrarë në Gaza. Këtë herë, vëmendja përqendrohet te ata që i mbijetojnë luftës, por përballen çdo ditë me pasojat e saj.
Sipas të dhënave të cituara nga organizatorët, rreth 520 milionë fëmijë në mbarë botën jetonin në zona të prekura nga konfliktet e armatosura gjatë vitit 2024. Ndërkohë, raporti i fundit vjetor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për fëmijët dhe konfliktet e armatosura dokumentoi 38 558 shkelje të rënda të verifikuara ndaj fëmijëve gjatë vitit 2025, duke prekur më shumë se 24 mijë të mitur.
Në qendër të instalacionit janë vendosur edhe mbi 200 pëllumba prej letre, të punuar me teknikën origami nga nxënës të shkollave në Katar. Secili prej tyre mban një mesazh drejtuar liderëve botërorë, me thirrje për paqe. Kontrasti mes këtyre mesazheve dhe mijëra shisheve bosh synon të përcjellë një mesazh të fortë për përgjegjësinë ndaj brezave të ardhshëm.
Nisma është organizuar nga Msheireb Museums dhe Qatar Charity, me mbështetjen e UNESCO-s dhe Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët dhe Konfliktet e Armatosura. Programi përfshin gjithashtu vizita shkollore, punëtori dhe diskutime, ndërsa vizitorët mund të blejnë shishe individuale për të mbështetur këtë kauzë humanitare.
Mesazhi që përcjell ekspozita përmblidhet në një fjali: Asnjë fëmijë nuk duhet të trashëgojë luftën.
