Tiroideja është një gjëndër shumë e vogël në qafë, por roli i saj në trup është shumë më i madh sesa mendoni. Ajo ndikon te metabolizmi, energjina, temperatura e trupit, humori, gjumi dhe madje edhe te mënyra si funksionon zemra. Problemi është se simptomat e çrregullimeve të tiroides shpesh duken “normale”: lodhje, stres, shtim në peshë, nervozizëm apo mungesë energjie. Dhe pikërisht për këtë arsye, shumë njerëz i injorojnë për muaj me radhë, ose vite.
Ja disa nga shenjat më të zakonshme që mund të tregojnë që tiroideja nuk po funksionon siç duhet:
1. Ndryshime të pashpjegueshme në peshë: Nëse shtoni apo humbni peshë pa ndryshuar mënyrën si ushqeheni apo aktivitetin fizik, mund të ketë lidhje me tiroiden. Një tiroide “e ngadaltë” ngadalëson metabolizmin, ndërsa një tiroide tepër aktive mund ta përshpejtojë.
2. Lodhje e vazhdueshme: Nuk keni energji edhe pasi flini mjaftueshëm? Kjo është një nga simptomat më të zakonshme të hipotiroidizmit.
3. Ndjeshmëri ndaj të ftohtit ose nxehtësisë: Nëse ju ftohet trupi më shumë se zakonisht, ose përkundrazi nuk e duroni dot vapën, tiroideja mund të jetë shkaku.
4. Ndryshime në rrahjet e zemrës: Rrahje shumë të shpejta ose shumë të ngadalta mund të lidhen me çrregullime hormonale të tiroides.
5. Hollim ose rënie flokësh: Flokët mund të bëhen më të hollë, më të dobët apo të bien më shumë se zakonisht.
6. Lëkurë e thatë: Lëkura mund të bëhet më e ashpër, më e thatë dhe të humbasë elasticitetin.
7. Ndryshime humori: Tiroideja ndikon edhe te shëndeti mendor. Hipotiroidizmi lidhet shpesh me humor të ulët apo depresion, ndërsa hipertiroidizmi me ankth dhe irritim.
8. “Brain fog”: Vështirësi për t’u përqenderuar, harresë apo ndjesia sikur truri funksionon më ngadalë.
9. Ndryshime në ciklin menstrual: Perioda më të forta, më të lehta apo të çrregullta mund të jenë një sinjal hormonal.
10. Dhimbje apo dobësi muskulare: Mund të ndiheni më të dobët fizikisht edhe gjatë aktiviteteve normale.
11. Fryrje në zonën e qafës: Një zmadhim i tiroides (goiter) mund të krijojë fryrje apo ndjesi presioni në qafë.
12. Probleme me tretjen: Kapsllëk i vazhdueshëm ose, në raste të tjera, jashtëqitje më të shpeshta se zakonisht.
13. Probleme me gjumin: Pagjumësi, gjumë jo cilësor apo ndjesia e lodhjes edhe pasi keni fjetur.
14. Ndryshim në zë: Ngjirje apo ndryshim i tonit të zërit pa ndonjë arsye të qartë.
15. Ankth dhe nervozizëm i shtuar: Sidomos në rastet kur tiroideja është tepër aktive.
16. Lëvizje më të ngadalta: Ndjesia sikur trupi “po funksionon me ngadalë”.
17. Kolesterol i lartë: Hipotiroidizmi shpesh lidhet me rritje të kolesterolit në analizat e gjakut.
18. Thonj të dobët: Thonj që thyhen lehtë apo bëhen më të hollë.
19. Tolerancë më e ulët ndaj aktivitetit fizik: Stërvitjet që dikur dukeshin normale tani ju lodhin shumë më shpejt.
20. Ndryshime në oreks: Mund të keni më shumë uri ose, përkundrazi, më pak oreks se zakonisht.
Shumë nga këto simptoma mund të lidhen edhe me probleme të tjera, ndaj nuk do të thotë automatikisht që keni problem me tiroiden. Por nëse po vini re disa prej tyre njëkohësisht dhe për një periudhë të gjatë, ndoshta është momenti të bëni një kontroll hormonal./mxh
