Last Updated on 23/11/2026 by Monika
Sopoti nuk ka humbur kohë. Pas largimit të Rrahman Hallaçit, klubi ka zgjedhur menjëherë trajnerin e ri.
Drejtimi i ekipit i është besuar një emri të njohur, si Lorenc Pashja. Objektiv për trajnerin e ri do të jetë mbijetesa dhe rikthimi i ekipit te rezultatet pozitive.
“Mirësevjen Lorenc Pashja. Klubi i Futbollit Sopoti mirëpret Lorenc Pashjën në drejtimin e ekipit tonë!
Një kapitull i ri nis për Sopotin, me ambicie të qarta për të rritur nivelin sportiv, për të forcuar grupin dhe për të arritur rezultate sa më pozitive.
I urojmë trajnerit Pashja shumë suksese në këtë detyrë të re! Besojmë se përkushtimi, profesionalizmi dhe puna në grup do të jenë çelësi për realizimin e objektivave të klubit dhe për të përmbushur pritshmëritë e sportdashësve librazhdas. Së bashku drejt sukseseve të reja”, thuhet në njoftimin e kryebashkiakut të Librazhdit, Mariglen Disha.
Lorenc Pashja në karrierën e tij ka drejtuar ekipe si Shkumbini, Luzi dhe Besa e Kavajës në Kategorinë e Parë.
Sa i përket Hallaçit, ai u largua pas humbjes me Korabin në shtëpi, me rezultatin 2-0. Kjo ishte disfata e katërt radhazi për skuadrën nga Librazhdi, e cila përkeqësoi situatën edhe më tej.
Ngjitja në Kategorinë e Parë rezultoi e vështirë për Hallaçin, në drejtimin e të cilit ekipi regjistroi gjashtë humbje, katër barazime dhe vetëm një fitore.
Aktualisht Sopoti renditet në vendin e parafundit me vetëm 7 pikë të grumbulluara, 2 më shumë se Oriku i vendit të fundit./mxh
