Vitin e kaluar 23.4% e popullsisë shqiptare ka jetuar me 8.3 dollarë (681 lekë në ditë me kursin e këmbimit lek USD), sipas të dhënave zyrtare të Bankës Botërore. Shifrat tregojnë se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të varfërisë në Rajon edhe në 2025 së bashku me Kosovën dhe do të vijojë ta ketë edhe së paku deri në fund të dekadës.
Një e katërta e popullsisë së vendit është jashtë konsumit pasi shporta e blerjeve me këtë shumë është shumë e kufizuar vetëm sa për mbijetese. Shërbimet arsimore dhe shëndetësore apo qiraja në këtë nivel të ardhurash janë tërësisht të papërballueshme.
Metodologjia e Bankës Botërore përllogarit se rreth 60 për qind e shumës prej 681 lekësh pra rreth 400 lekë shkojnë për ushqime ditore dhe pjesa tjetër prej 281 lekësh për të përballuar të gjitha shpenzimet e tjera.
400 lekë në ditë ushqim çfarë blen
Me një buxhet prej 400 lekësh në ditë për ushqim, 23.4 % e popullsisë në Shqipëri detyrohet të orientohet tërësisht drejt produkteve të shportës bazë dhe shumë të kufizuar pa mish, pasi kjo shumë është e mjaftueshme vetëm për një dietë modeste. Ky nivel shpenzimi kërkon një menaxhim qe eliminon mundësinë për konsumuar produktet jetike të shportës.
Për të qëndruar brenda këtij kufiri 400 lekë një person gjatë një ditë mund të blejë një bukë masive kushton rreth 100 – 120 lekë, dy kokrra vezë llogariten rreth 50 – 60 lekë, një gotë kos ose qumësht që kushton rreth 60 – 80 lekë, gjysmë kilogrami patate ose disa mollë kushtojnë rreth 50 – 70 lekë. Me tej mund te blihet një porcion fasule, oriz ose makarona llogaritet rreth 70 – 90 lekë.
Ky buxhet nuk lejon hapësirë për produkte si mishi i viçit apo i derrit, pasi kostoja e tyre tejkalon mundësitë ditore. Po ashtu, shpenzimet për si ëmbëlsirat, pijet me gaz apo kafetë në lokal janë të pamundura.
281 lekë të tjera për drita dhe uje
40 për qind e shumës prej 681 lekësh gjithsej 281 lekë shkojnë për mbulimin e faturave të dritave dhe ujit. Energjia elektrike dhe uji për një konsum minimal llogariten rreth 150 deri në 200 lekë në ditë, dhe edhe pse shteti ofron subvencione prej rreth 648 lekësh në muaj për kategoritë në nevojë, barra mbetet përsëri e lartë.
Situata vështirësohet më tej nëse personit i duhet të lëvizë për punë ose arsim, pasi transporti publik me urban kushton 80 lekë në ditë për një biletë vajtje-ardhje. Kjo kosto e nxjerr buxhetin ditor menjëherë me minus, duke e detyruar individin të zgjedhë mes ecjes në këmbë ose pakësimit të mëtejshëm të ushqimit. Ndërkohë, produktet e higjienës bazë si sapuni apo pasta e dhëmbëve zënë rreth 20 deri në 30 lekë të tjera nga ky buxhet modest.
Çfarë nuk mund të konsumojë 23% të popullsisë
Kategoria që jeton me 681 lekë në ditë mbetet me nevoja kritike plotësisht të pambuluara. Qiraja në zona periferike, që kushton rreth 1,075 lekë në ditë, është e papërballueshme pasi tejkalon të gjithë buxhetin ditor. Po ashtu, blerja e medikamenteve apo vizitat mjekësore private janë të paarritshme pa ndihmë shtesë. Edhe arsimi mbetet një sfidë, pasi tarifat universitare kërkojnë kursime drastike ose punësim shtesë. Sa i përket veshjeve, blerja e rrobave apo këpucëve ndodh vetëm përmes kursimeve afatgjata ose mbështetjes nga të afërmit jashtë vendit. Kjo kategori gjithashtu nuk mund të përballojë pushime dhe konsumin e vakteve jashtë dhe të marrë pjesë në aktivitetet kulturore./Monitor.al/kb
