Nga Leonard Veizi
Në zemër të Manhattanit, aty ku dikur qëndronte një plagë e hapur e dhimbjes kombëtare, qielli priti një dëshmi të re të forcës njerëzore. Kjo dëshmi kishte një emër: World Trade Center One.
Ky gradaçel është më shumë se beton dhe xham; është një himn i heshtur i shpresës, pika ku kujtimi dhe e ardhmja u lidhën në një bekim arkitekturor.
Më 3 nëntor 2014, Nju Jorku nuk inaguroi vetëm një ndërtesë; ai vulosi historinë e një ringritjeje epike nga hiri i tragjedisë së 11 shtatorit 2001.

1776 këmbë lartësi
Për tetë vite, mbi tokën e shenjtë ku dikur qëndronin Kullat Binjake, u derdhën ëndrra, djersë dhe një investim prej 4 miliardë dollarësh. Gradaçela u ngrit, duke sfiduar gravitetin dhe duke dëshmuar se asnjë sulm nuk mund ta shkatërrojë shpirtin njerëzor.
Lartësia e saj – 541 metra ose 1776 këmbë (feet) – nuk është thjesht një shifër rekordi; është një kod simbolik. Një homazh ndaj vitit 1776, kur u firmos Deklarata e Pavarësisë Amerikane, duke e bërë ndërtesën një shenjë vertikale të lirisë dhe rezistencës. Nju Jorku, dhe Amerika e gjithë, jo vetëm që rikuperuan, por u ngritën më lart dhe më fuqishëm se kurrë.
Me sytë nga e ardhmja
E projektuar nga “David Childs i Skidmore”, “Owings & Merrill”, Qendra Botërore e Tregtisë Një është ndërtesa më e lartë në Shtetet e Bashkuara, ndërtesa më e lartë në Hemisferën Perëndimore dhe e shtata më e lartë në botë. Struktura super e lartë mban të njëjtin emër si Kulla Veriore e Qendrës Botërore të Tregtisë origjinale, e cila u shkatërrua në sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001.
Ky kolos modern, i pajisur me teknologji të avancuar sigurie dhe dizajn magjepsës, nuk është thjesht një qendër biznesi. Ai mban mbi supe një barrë më të shenjtë: kujtesën.
Ngrihet si një vëzhgues i përhershëm i Memorialit Kombëtar të 11 Shtatorit, pranë dy pishinave të thella që shënojnë gjurmët e Kullave Binjake të rëna. Beton, çelik dhe xham nuk e fshehin dhimbjen; ata e mbajnë atë. Për vizitorët që ngjiten në observatorin e tij, pamja panoramike e Manhattanit nuk është thjesht atraksion turistik, por një përkujtim i largësisë së kaluar dhe i pamposhtshmërisë së dëshirës për jetë dhe liri.
Inagurimi i “World Trade Center One” apo siç vjen në shqip “Qendrës Botërore të Tregtisë Një” shënoi një çast historik për Nju Jorkun dhe për botën. Ajo dha një mesazh të qartë: aty ku dhimbja la hije, u ngritën themele të reja. Pas errësirës, u shfaq një vizion i qartë për të ardhmen, i lidhur përgjithmonë me betimin për lirinë dhe nderimin për të kaluarën.
