Last Updated on 03/11/2026 by Anisa
Detaje të reja kanë dalë në dritë nga disa ngjarje kriminale, që tronditën veriun e vendit, gjatë kësaj vere. Mësohet se Policia dhe Prokuroria e Shkodrës, janë shumë pranë zbardhjes së dy vrasjeve që kanë ndodhur në zonën e Dukagjinit, ku u vranë shtetasit Aleksandër Koçeku, si dhe Prelë dhe Lekë Gjoni, babë e bir, në dy raste të ndryshme kriminale.
Fillimisht, në datën 11 korrik u qëllua me armë zjarri brenda fouristradës së tij Aleksandër Koçeku duke mbetur i ekzekutuar në vend, një vrasje kjo që sipas kushëririt erdhi për motive gjakmarrje.
Ndërkohë që ka kaluar dy muaj, një tjetër vrasje ndodhi jo më shumë se 10 km më tutje, teksa u qëllua me breshëri plumbash ndaj shtetasve Lekë Gjoni 57 vjeç dhe babait të tij të moshuar Prelë Gjoni ndërsa mbeti i plagosur një person tjetër që arriti të shpëtonte.
Policia e Shkodrës sipas burimeve të News 24 ka konfirmuar se dy vrasjet kanë lidhje mes tyre, ndërkohë që pretendon se ka rënë në gjurmët e autorëve, dhe porositësve të tyre.
Grupi hetimor, dyshon se shtetasi Lekë Gjoni, ka pasur lidhje me vrasjen e Koçekut, edhe pse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Ka dyshime se Lekë Gjoni mund të ketë patur dijeni për vrasjen e Aleksandër Koçekut gjë të cilën mund ta ketë shprehur dhe kjo më pas ka sjellë ekzekutimin e tij./ad
